Presidenti i Shqipërisë theksoi se ka besim te përgjegjshmëria dhe bashkëpunimi i të gjithë udhëheqësve të Kosovës, sipas tij, “për ta përballuar këtë sfidë me shumë vigjilencë”
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë, në një deklaratë për mediat ka theksuar se krijimi i Gjykatës Speciale “ishte një investimi i Serbisë dhe i aleatëve të saj”.
Në deklaratën gjatë vizitës në Amfiteatrin e Bylisit në Qarkun e Fierit, Meta tha se “Krijimi i Gjykatës Speciale, ishte një investimi i Serbisë, i aleatëve të saj. Është edhe një çmim që paguhet për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo është një përpjekje e dështuar për të vënë në diskutim luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës, apo edhe për të futur në krizë funksionimin e shtetit të Kosovës”.
Presidenti i Shqipërisë theksoi më tej se ka besim te përgjegjshmëria dhe bashkëpunimi i të gjithë udhëheqësve të Kosovës, sipas tij, “për ta përballuar këtë sfidë me shumë vigjilencë”.
“Kosova është tashmë një faktor i qartë i stabilitetit të këtij rajoni. Është një vend demokratik, pavarësisht disa bllokadave dhe fatkeqësish, që kërkojnë të vënë në pikëpyetje integritetin e saj. Kjo gjë që nuk ka për të ndodhur dhe absolutisht që në këtë sfidë shqiptarët kudo ku janë do të jenë edhe më të bashkuar, do të jenë edhe më syçelët, do të rrinë edhe më pak pa gjumë, por do t’ia dalin mbanë”, është shprehur Meta.
Kujtojmë se më 5 nëntor ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë edhe presidentin e dorëhequr, Hashim Thaçi, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuar të Kosovës (DHSK) në Hagë.
Presidenti Meta foli edhe për procesin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, i cili theksoi se “Sa u takon raporteve më Amerikën, ato janë raporte midis dy shteteve, dy vendeve partnere, dy vendeve që janë aleate në NATO. Për ne, është e rëndësishme që të forcohet lidhja trans-atlantike, të forcohet NATO, aleanca më e madhe dhe më e rëndësishme në botë”.