Futbollisti shqiptar me pasaportë zvicerane, Granit Xhaka në një intervistë për portalin zviceran “nzz.ch”, ka treguar në lidhje me ndryshimin e tij që pas marrjes së ekipit nga Mikel Arteta.
Ai tregoi se i kishte humbur dëshira dhe besimi te Arsenali para se të vinte Arteta trajner.
“Jam i befasuar shumë nga Arteta. Jam njeri, kam emocione dhe gjëra që më lëndojnë. Veprimi ofendues ndaj fansave që bëra atë ditë, të kthehesha sot nuk do ta bëja. Nuk shkova në stërvitje për dy ditë, duke menduar se çfarë ka ndodhur. Zemra ime kishte ikur nga klubi. Fakti që jam ende këtu është falë trajnerit Mikel Arteta”, ka thënë Xhaka duke sqaruar.
“Së pari ai donte t’i shpjegoja se si ndihem dhe pse veprova në atë mënyrë. Isha në gjendje që të përshkruaja gjendjen time dhe se çfarë kisha në mendje”, ka përfunduar Granit Xhaka i cili aktualisht është I grumbulluar me përfaqësuesen e Zvicrës për ndeshjet e nëntorit.