Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se KLSH raporton një dëm ekonomik prej 1,2 miliardë euro për vitin 2019.
“Praktikisht kanë vjedhur, grabitur e rrënuar dy buxhete shteti! Kjo është shifra zyrtare që KLSH pohon në raportet e tij. Fatkeqësisht nuk ndalen në asgjë dhe nuk kanë cipë kur vjedhin, viti 2019 ka qenë viti i tërmetit dhe shifrat e 1.2 miliardë eurove vjedhje nga buxheti tregojnë më së miri se çfarë janë të aftë të bëjnë. Vetëm tek Prokurimet Publike dëmi ekonomik është gati 50% i totalit të tij”, u shpreh Tabaku.
“Tashmë është e qartë se përse Shqipëria dhe buxheti nuk iu përgjigjet kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Janë vjedhur dy buxhete shteti, kanë avulluar nga dy buxhete taksat e rritura që kanë paguar shqiptarët. Pikërisht në buxhetin e vitit 2019 ku zjarrfikësit nuk kishin as mjete për të shpëtuar bashkëqytetarët. Në të janë vjedhur 1.2 mld euro, një shifër e frikshme. Kurse sot situata është në kolaps, spitalet janë të tejmbushur, njerëzit lihen para dyerve të ndërrojnë jetë”, tha ajo.
“Në 25 prill 2021 do t’i kërkohet llogari atij dhe vartësve të tij për çdo qindarkë taksë të vjedhur dhe keqpërdorur”, theksoi Tabaku.