Ish-kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale që kishte kryer hetimet për pretendimet e raportit të Dick Martyt për dyshimet e pretenduara për krime të kryera nga UÇK-ja, Clint Williamson, e ish-prokuror i Gjykatës Speciale të EULEX-it, ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk do ta themelonte Gjykatën Speciale, kjo do të ndodhte në OKB.
Në një intervistë për “Ora News”, ai ka thënë se insistimi më i madh për krijimin e Speciales ishte nga Rusia.
“Kjo është një pyetje shumë interesante. Kur u publikua raporti i Dick Marty në Këshillin e Evropës dhe një sërë qeverish evropiane këmbëngulën për nevojën e një hetimi të plotë penal. Në atë kohë Rusia dhe Serbia, që të dyja kërkuan themelimin e një Gjykatë të re të OKB-së për t’u marrë me këtë çështje. ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian besoj se patën një qasje korrekte. Meqenëse ShBA-ja mbante përgjegjësi për çështjet e shtetit të së drejtës në Kosovë, ndaj Bashkimi Evropian duhet ta mbikëqyrte hetimin dhe procesin gjyqësor që do të pasonte. Dhe kjo solli në themelimin e task forcës speciale të hetimit, të cilën unë e drejtova si kryeprokuror në Bruksel. Por edhe pas kësaj, Rusia vazhdoi të këmbëngulë për një gjykatë të OKB-së dhe kjo solli një debat shumë serioz në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Fakti është se shumica e mbështeti, brenda Këshillit të Sigurimit, krijimin e një gjykate tjetër”, thotë ai.
Ai shtoi se nëse nuk do të votohej kjo gjykatë në Kuvendin e Kosovës, e njëjta do të themelohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
“Nëse Bashkimi Evropian nuk do ta kishte bërë këtë, nëse BE-ja nuk do të ishte në gjendje të zhvillonte një hetim, çështja do të kthehej në Këshillin e Sigurimit dhe aty do të ishte votuar për të krijuar një gjykatë të OKB-së. Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca ia bënë të qartë qeverisë së Kosovës se nuk do ta përdornin veton e tyre për të bllokuar një hetim të kësaj çështje. Pasi këto ishin akuza shumë të rënda. Ndaj para autoriteteve të Kosovës doli kjo dilemë. Ose të lejonin Bashkimin Evropian ta bënte këtë nën autoritetin e vet të ligjit në Kosovë dhe të bashkëpunonte me të, ose çështja të shkonte sërish në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku shumica e anëtarëve do të votonin për të krijuar një gjykatë. ShBA-ja dhe BE-ja nuk donin që kjo çështje të hiqej nga duart e BE-së dhe ta dërgonin mbrapsht në Këshillin e Sigurimit. Kjo do të kishte ndodhur nëse nuk zbatohej skenari evropian”, tha Clint Williamson.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.