Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut i vjen keq për bllokadën e Bullgarisë në BE, është titulli i tekstit të botuar sot nga agjencia e lajmeve Frans Pres (AFP), pas një interviste me kryetarin e Qeverisë, Zoran Zaev në Shkup.
Zaev tha për AFP se fqinji lindor i kishte sjellë një “surprizë të pakëndshme”.
Është krijuar zemërimi i madh midis njerëzve vëllezëror që jetojnë në të dy anët e kufirit, vlerësoi Zaev, por megjithatë shprehu besimin se një hap përpara është i mundur.
Duke përmendur se ka absurditet në të gjithë problemin, kryeministri theksoi se çdo çështje e identitetit maqedonas është një “vijë e kuqe”.
“Ne kemi treguar se sa besojmë në vlerat evropiane,” shtoi Zaev, duke aluduar në kompromisin për ndryshimin e emrit, “dhe tani, kur Evropa duhej të tregonte vlerat e saj evropiane, ata nuk ishin atje”.
“Bllokada e Bullgarisë për ëndrrat e Maqedonisë së Veriut për të hyrë me Bashkimin Evropian është në kundërshtim me vlerat e bllokut dhe ka shkaktuar “shumë hidhërim në vendin tonë”. Çdo çështje e identitetit maqedonas është një “vijë e kuqe”. “Kjo është çështje e vetëvendosjes që është në zemër të projektit evropian”, tha ai.
Autorët e tekstit bëjnë edhe një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve.
“Sofia dëshiron që fqinji i saj i vogël të njohë, siç thotë , rrënjët bullgare të gjuhës, popullit dhe historisë së saj, përpara se të lejojë që vendi i Ballkanit të përparojë në procesin e aderimit. Maqedonia e Veriut, një vend i varfër, ku jetojnë dy milionë banorë, ndoqi këtë rrugë edhe më parë. U bë kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2005, por u bllokua nga Greqia për të ecur përpara. Athina vendosi veto për emrin e dikurshëm të vendit, Maqedoni, duke e konsideruar si një sulm ndaj territorit dhe trashëgimisë greke. Për të kapërcyer këtë ngërç, Zaev nënshkroi një marrëveshje të vështirë në vitin 2018 për të shtuar kualifikuesin gjeografik “E Veriut” me qëllim për ta dalluar atë nga provinca greke Maqedonia”, thekson AFP.
Agjencia franceze e lajmeve kujton gjithashtu se Bullgaria, e cila u bashkua me BE-në në vitin 2007, ishte vendi i parë që e njohu Maqedoninë e Veriut që nga shpallja e pavarësisë nga Jugosllavia në vitin 1991. Kjo ishte një nga arsyet, shtohet, pse Zaev i përshkroi ata si “miku ynë më i mirë”.
“Bullgaria e ka akuzuar Maqedoninë e Veriut për vjedhjen e historisë së saj dhe është veçanërisht e shqetësuar për shkak të mungesës së përparimit nga komisioni i përbashkët që përpiqej të arrinte marrëveshje për një narrativ të përbashkët për librat shkollorë”, tha artikulli i AFP-së.
Sipas Zaevit, çështje të tilla duhet të jenë punë kryesisht të historianëve, por është e rëndësishme, siç tha në intervistë, të theksohen marrëveshjet e arritura nga Komisioni në disa fusha.
“Unë besoj shumë në vlerat evropiane, ndoshta shumë më tepër sesa disa individë në BE”, nënvizoi kryeministri Zoran Zaev për Frans presin./Tv21