Berlin, 23 nëntor (BBC/Reuters) – Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka shprehur shqetësimin se vendet e varfra do të vonohen në sigurimin e qasjes në vaksinat kundër koronavirusit.
Merkel ka folur gjatë samitit të liderëve të 20 shteteve më të zhvilluara. Liderët e vendeve më të pasura janë zotuar se do të ketë shpërndarje të drejtë të vaksinave që po rezultojnë efikase në testet e fundit.
Por Merkel druan se zhvillimet mund të shkojnë ngadalë dhe se mund të ketë pasoja në mesin e shteteve të varfra. “… unë jam disi e shqetësuar se asgjë nuk është bërë ende”, ka thënë Merkel.
Komentet e saj kanë ardhur pas lajmit se Shtetet e Bashkuara do ta fillojnë vaksinimin më 11 dhjetor.
Krejt këto zhvillime kanë ardhur në ditën kur kompania “AstraZeneca” ka njoftuar të hënën se vaksina e saj është 90 për qind efikase kundër koronavirusit. Vaksina është zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit dhe ka dëshmuar se efikasiteti i saj me një dozë mund të shkojë deri në 90 për qind. Kompania ka dhënë garanci se vaksina është e sigurt kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton infektimi me koronavirus.
Prodhuesi britanik i ilaçeve ka vlerësuar rezultatin si arritje të rëndësishme në luftën kundër pandemisë. Gjatë javëve të kaluara, edhe “Pfizer” dhe “Moderna” nxorën vaksinat e tyre me mbi 90 për qind efikasitet. Shtetet e Bashkuara presin të nisin në dhjetor vaksinimin e shtresave më të rrezikuara të popullsisë.
Vaksina pritet të ketë çmim të lirë dhe shpërndarja e saj të jetë më e shpejtë se e kompanive rivale që po zhvillojnë vaksinat e tyre kundër koronavirusit të ri.
Kjo kompani britanike tha se deri në fund të vitit 2020 do të ketë në dispozicion rreth 200 milionë doza të vaksinës, aspo katër herë më shumë se kompania amerikane “Pfizer”, që po ashtu ka njoftuar se ka gati vaksinën kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, raporton agjencia Reuters.
Shtatëqind milionë doza mund të jenë gati për t’u shpërndarë në mbarë botën në fund të çerekut të parë të vitit 2021, tha kompania.
Londinezët kanë mirëpritur lajmin se vaksina e “AstraZenekës” britanike kundër koronavirusit mund të ketë efikasitet prej nëntëdhjetë për qind pa efekte anësore serioze. Kështu, botës i është ofruar vaksina e tretë me shkallë të lartë efikase në luftën kundër pandemisë COVID-19. Vaksina e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit ka rezultuar 90 për qind efikase në parandalimin e COVID-19 kur administrohet si gjysmë doze e pasuar pas një muaji me një dozë të plotë. Testet janë kryer në mesin e vullnetarëve në Britani dhe Brazil. Nuk është konfirmuar ndonjë zhvillim serioz shëndetësor i lidhur me vaksinën. Londinezët vlerësojnë se ky është një hap i mirë në prag të Krishtlindjes, kur edhe pritet të zbuten disa prej masave të mbylljes në vend.