Trump i ka dhënë ‘dritë të gjelbër’ shefit të Departamentit të Shtetit, Pompeo që të “mund të ushtrojë trysni ndaj Iranit sa të dëshirojë, vetëm pa shkaktuar Luftën e Tretë Botërore”
Mediat amerikane bënë të ditur se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump i ka dhënë ‘dritë të gjelbër’ shefit të Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo që të “mund të ushtrojë trysni ndaj Iranit sa të dëshirojë, vetëm pa shkaktuar Luftën e Tretë Botërore”.
Trump u ka dhënë Pompeos, diplomatëve tjerë si dhe këshilltarëve autorizime në kontekst të ushtrimit të trysnisë ndaj Iranit, shkruan portali amerikan “DailyBeast”, duke iu referuar zyrtarëve të lartë amerikanë, identitetin e të cilëve nuk e zbuluan.
Në tekst thuhet se Trump javët e fundit është i fokusuar vetëm në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale dhe nuk u jep shumë vëmendje çështjeve të politikës së jashtme. Në veçanti, çështja e Iranit, siç thuhet, iu la plotësisht Pompeos.
Zyrtarët amerikanë, të cilëve u referohet autori i tekstit dhe thekson se ishin dëshmitarë të bisedimeve midis Trumpit dhe Pompeos, theksuan se Trump i dha sekretarit amerikan të shtetit autoritetin për të ushtruar presion mbi Iranin sa të donte, pa provokuar Luftën e Tretë Botërore.
Pritet që administrata e Trumpit, para dorëzimit të Shtëpisë së Bardhë fituesit të zgjedhjeve presidenciale amerikane Joe Biden, që planifikohet për më 30 janar, të vendos sanksione të reja ekonomike ndaj Iranit dhe të ndërmarrë hapa të cilat do ta sjellin në situatë të vështirë ekonominë iraniane.
Po ashtu theksohet se ka mundësi që ka ekzistuar bashkëpunim mes shërbimeve izraelite dhe amerikane të inteligjencës lidhur me atentatin mbi shkencëtarin iranian, Mohsen Fakhrizadeh.
Fakhrizadeh, i cili ka qenë figura kyçe e programit bërthamor iranian, të premten e vranë sulmues të paidentifikuar në periferi të Teheranit.
Zyrtarët iranianë për vrasjen akuzuan Izraelin, kryeministri i të cilit Benjamin Netanyahu para dy vitesh mbajti prezantim mbi programin bërthamor dhe tha se duhet të mbahet mend emri, Mohsen Fakhrizadeh.