Protestuesit e opozitës i bllokuan rrugët në kryeqytetin armen të martën për ta shënuar fillimin e një fushate protestuese kundër kryeministrit Nikol Pashinyan, i cili e injoroi ultimatumin e tyre për të dhënë dorëheqje pas nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit me Azerbajxhanin.
Qindra njerëz u dëgjuan duke brohoritur “Nikol, tradhtar” dhe “Armenia pa Nikolin” në rrugët e Yerevanit, duke iu përgjigjur thirrjes së opozitës për të protestuar pas mosrespektimit të ultimatumit për dorëheqje nga kryeministri.
Pashinyan, i cili erdhi në pushtet përmes një revolucioni paqësor në maj të vitit 2018, muajin e kaluar e pranoi një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për ndërprerjen e luftimeve, duke i dhënë fund një konflikti të përgjakshëm.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Armenia duhet t’ia dorëzojë Azerbajxhanit territoret që ky i fundit i mori nën kontroll gjatë luftimeve, shkruan Reuters.
Pashinyan e ka pranuar përgjegjësinë për rezultatin e konfliktit, por ka thënë se tash është përgjegjës për të ofruar siguri kombëtare dhe stabilizim të ish-republikës sovjetike me rreth tre milionë banorë.
Opozita ka thënë se planifikon t’i bllokojë rrugët në mbarë vendin dhe ta paralizojë rrjetin kombëtar të transportit, nëse është e nevojshme.
Lideri shpirtëror armen, Krekin II, tha përmes një deklarate se është takuar me kryeministrin dhe i ka bërë thirrje që të japë dorëheqje.