Presidenti i Unionit të Partive Popullore Europiane (PPE), Donald Tusk, ka uruar Partinë Demokratike në Twitter në ditën e 30-vjetorit të saj.
“Në dhjetor 1990, lindja e Partisë Demokratike ishte me të vërtetë një lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët si dhe për Evropën, pasi i dha fund regjimit komunist dhe orientoi vendin tuaj drejt Evropës”, – thotë në urimin e tij Presidenti I PPE, Tusk.
Sipas Tusk, PD, në rrugëtimin e saj 30-vjeçar ka arritur shumë, që nga antarësimi në NATO, liberalizimi i vizave me BE deri tek reformat e rëndësishme të demokratizimit të Shqipërisë.
“Unë e di që nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria do të shkojë drejt anëtarësimit në BE, do të zhvillojë një ekonomi të fortë dhe do të ndërtojë një jetë më të mirë për të gjithë popullin tuaj, përfshirë rininë e madhe dhe aktive të vendit tuaj”, – shprehet Tusk në mesazhin e tij drejtuar kryetarit të PD, Lulzim Basha.
“Të dashur miq, anëtarë dhe mbështetës të PDSH, partisë anëtare të PPE,
I nderuar Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, – i dashur Lulzim,
Me rastin e 30 vjetorit të ditëlindjes së partisë sonë anëtare, unë do të doja t’ju dërgoja një video mesazh të shkurtër (nuk do të këndoj këtë herë, ju premtoj) me urimet e mia të përzemërta për ju dhe për miqtë tanë shqiptarë!
Gëzuar Ditëlindjen!
Në dhjetor 1990, lindja e Partisë Demokratike ishte me të vërtetë një lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët si dhe për Evropën, pasi i dha fund regjimit komunist dhe orientoi vendin tuaj drejt Evropës.
Ju dhe PDSH keni arritur shumë për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE, duke bërë të mundur anëtarësimin në NATO dhe lëvizjen pa viza për të gjithë shqiptarët. Këto arritje shkojnë bashkë me angazhimin dhe reformat tuaja për të forcuar demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë e tregut të lirë, gjyqësorin e pavarur dhe lirinë e medias.
Sot, në moshën 30 vjeç, ju mund të jeni krenar për arritjet tuaja, por në të njëjtën kohë, gjithashtu duhet të bëheni gati për sfidat e reja!
Unë e di që nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria do të shkojë drejt anëtarësimit në BE, do të zhvillojë një ekonomi të fortë dhe do të ndërtojë një jetë më të mirë për të gjithë popullin tuaj, përfshirë rininë e madhe dhe aktive të vendit tuaj.
2020 ka qenë një vit shumë i vështirë për të gjithë ne. Uroj që të gjithë shqiptarët të shërohen shpejt nga pandemia e cila ka goditur vendin tuaj kaq keq. Të gjithë ne shpresojmë për një 2021 më të mirë dhe gjithashtu për zgjedhjet e 25 Prillit, të cilat duhet të jenë të lira dhe të ndershme.
I dashur Lulzim, e gjithë familja e EPP dhe unë do të jemi me ju përgjatë kësaj rruge për t’ju mbështetur në sfidat që do të vijnë.
Ju uroj shumë suksese dhe një fitore në zgjedhjet e ardhshme që do t’i japin Shqipërisë një shpresë të re dhe do të sigurojnë rrugën e saj drejt një të ardhme të begatë”, shkruan Tusk.