Anëtarët e Presidencës boshnjake, Zeljko Komsiq dhe Sefik Dzaferovic, kanë refuzuar të takohen me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov.
Komsiq ka thënë se arsyet e refuzimit janë për shkak se gjatë takimit të Lavrovit me anëtarin tjetër të presidencës, Milorad Dodik, flamuri i Bosnje e Hercegovinës nuk është shfaqur në takim si dhe faktin që Lavrov ka mirëpritur rezolutën e Asamblesë Kombëtare të Republika Srpska për neutralitet ushtarak të Bosnje e Hercegovinës, shkruan portal boshnjak Avaz.ba.
Komsiq ka thënë se të gjitha këto kanë qenë të planifikuara nga Lavrov dhe nuk ishte gabim protokollar heqja e flamurit të Bosnje e Hercegovinës në takimin me Dodikun.
Anëtari tjetër i presidencës Dzaferovic dha të njëjtat arsye.
“Federata Ruse respekton marrëveshjen e Dejtonit, sovranitetin dhe integritetin e Bosnje e Hercegovinës por deklarimet e djeshme të Lavrov në konferencë na tregojnë diçka tjetër. Duke respektuar Dejtonin do të thotë të respektohet shteti i Bosnje e Hercegovinës, flamuri dhe stema. Kjo nuk është respektuar dje”, ka thënë ai.