Presidentja e KE-së, Von der Leyen tha se ajo ende nuk mund të garantojë “nëse do të ketë një marrëveshje ose jo”, por shtoi se “rruga mund të jetë shumë e ngushtë, por akoma është aty”
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se ka një “rrugë drejt një marrëveshje tani”, duke rikthyer shpresën e një marrëveshjeje të mundshme tregtare pas Brexit-it midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian para përfundimit të periudhës së tranzicionit.
Duke folur në Parlamentin Evropian, Von der Leyen tha se ajo ende nuk mund të garantojë “nëse do të ketë një marrëveshje ose jo”, por shtoi se “rruga mund të jetë shumë e ngushtë, por akoma është aty”.
Ajo po ashtu paralajmëroi deputetët e parlamentit se të dyja palët ende nuk i kanë eliminuar dallimet rreth peshkimit në ujërat e njëra-tjetrës dhe kushtet e barabarta të lojës.
Presidentja e KE-së po ashtu theksoi se të dyja palët kanë rënë dakord për një “mekanizëm të fortë kundër regresit” mbi standardet e punës si dhe mbi standardet sociale dhe mjedisore.
“Sigurisht që vështirësitë ende mbeten në pyetjen se si të vërtetohet konkurrenca e ndershme në të ardhmen. Por, unë po ashtu jam e lumtur të raportoj se çështjet e lidhura me qeverisjen deri më tani kryesisht janë zgjidhur. Të nderuar anëtarë, ditët në vijim do të jenë vendimtare”, deklaroi Von der Leyen.
Komentet e shefes së KE-së pasuan raportet se qeveria britanike u ka kërkuar deputetëve të partisë “Tory” të jenë të gatshëm për një votim mbi një marrëveshje të mundshme javën e ardhshme.
“Deputetët janë të gatshëm të votojnë për një marrëveshje të mundshme tregtare të Brexit-it në fillim të javës së ardhshme”, raportoi “The Telegraph”.
Javën e kaluar, kryeministri britanik, Boris Johnson dhe Von der Leyen në një takim në Bruksel vendosën se deri të dielën që lamë pas do të arrijnë një vendim përfundimtar mbi bisedimet e marrëveshjes tregtare.
Megjithatë, të dielën ata thanë se janë të gatshëm të vazhdojnë për “miljen shtesë” drejt arritjes së marrëveshjes, duke ringjallur shpresat për një marrëveshje të mundshme.
Ekipet nga të dyja palët kanë zhvilluar bisedime që nga e diela, me raportet në media se u bënë lëshime nga Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja për disa çështje, përfshirë peshkimin.
Mbretëria e Bashkuar u largua nga BE-ja më 31 janar të këtij viti, por më pas kaloi në një periudhë tranzicioni e cila duhet të përfundojë në fund të dhjetorit.
Në një referendum të vitit 2016, votuesit në Mbretërinë e Bashkuar vendosën të largohen nga blloku evropian pas më shumë se 40 vitesh antëtarësim.