Brenda pak ditësh, Partia Demokratike, dhe aleatët e saj do të përmbyllin marrëveshjen për zgjedhjet e 25 prillit e bashkë me të edhe menyrën se si do të dalin në zgjedhje për të maksimalizuar votën pas heqjes së koalicioneve. Fatmir Mediu tha se çdo vonesë do të shkonte në dëm të qytetarëve dhe vetë opozitës.
Partia Demokratike dhe aletatët e saj, prej ditësh janë angazhuar në diskutime mbi taktikën elektorale që do të paraqitet para qytetarëve në zgjedhjet e 25 prillit.
Ende nuk ka një formulë të dakordësuar, por kjo dilemë pritet të zgjdhet brenda pak ditëve.
“Ka diskutime nga më të ndryshmet dhe padyshim që duhet të vijmë në një pikë vendimmarrje sa më shpejt sepse koha kalon dhe është në dëm të interesave të Shqipërisë dhe në dëm të interesave të opozitës”, tha Mediu.
Dy janë formulat që opozita po diskuton, një koalicion me listë të përbashkët kandidatësh të udhëhequr nga Partia Demokratike ose dalja më dy koalicione, ku koalicioni i dytë udhëhiqet nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Por përtej kësaj, kryerepublikani Fatmir Mediu, thotë se me rëndësi është që koalicioni opozitar të shpalosë një platformë të qartë për nesër në qeveri.
“Koalicioni opozitar duhet të identifikohet dhe definohet bazuar në disa elementë. E para duhet të ketë një rpogram të përbashkët politik që është një kontratë sociale-morale me qytetarët në mënyrë që politika të jetë e ndjeshme dhe e pranueshme nga qytetarët sepse ata do të votojnë. Së dyti, raporti qeverisës që krijon me qytetarët, ai parlamentar por edhe ekzekutiv, duke përfshirë një grup njerëzish profesionbstë brenda dhe jashtë Shqipërisë për ta pasur angazhimin shqiptar kudo në raport me opozitën dhe tejkalon interesat e drejtuesve politikë të opozitës. Dhe e treta padyshim është mënyra e daljes elektorale për të optimizuar votat”, tha Mediu.
Mediu thotë se Partia Socialiste ashtu siç bëri në vitin 2017, po aktivizon mekanizma të manipulimit të zgjedhjeve.
“Kemi një praktikë të hershme zgjedhore të manipulimit përmes blerjes, intimidimit të votuesve, infiltrimit të grupeve kriminale në procesin elektoral që PS ka filluar dhe e bën këtë në çdo Qendër Votimi. PS ka ngritur një skemë të identifikimit të çdo votuesi edhe në mënyrë të kundërligjshme që përcakton raportet e tij politike, ekonomike, fisnore”, tha Mediu.
Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, thotë se pa humbur kohë duhet të evidentohen kandidatët për deputet në mënyrë që organizmi dhe analiza për 25 prillin të shtrihet në çdo qendër votimi.