Kompania BioNTech ka reaguar pas dyshimeve nëse vaksina e tyre do të funsksionojë ndaj variantit të ri të koronavirusit. Ata thanë të martën se është “shumë e mundshme” që vaksina e saj kundër koronavirusit të funksionojë kundër variantit të ri të koronavirusit të zbuluar në Britani të madhe.
“Shkencërisht, ka shumë të ngjarë që përgjigja imune nga kjo vaksinë gjithashtu mund të trajtojë variantin e ri të koronavirusit”, tha bashkëthemeluesi i kompanisë BioNTech, Ugur Sahin.
Megjithatë, kompania tha se mund të adaptojë vaksinën nëse është e nevojshme brenda gjashtë javësh.
“Nëse është e nevojshme në parim ne mund të fillojmë direkt të krijojmë një vaksinë e cila imiton plotësisht këtë mutacion të ri – ne mund të jemi në gjendje të sigurojmë një vaksinë të re teknikisht brenda gjashtë javësh”, tha ai.
Sahin tha se varianti i zbuluar në Britani të Madhe ka nëntë mutacione, dhe jo vetëm një siç ndodhë zakonisht.
Ai shprehu besim se vaksina e zhvilluar së bashku me kompaninë Pfizer do të ishte efikase sepse “përmban më shumë se 1.000 aminoacide dhe vetëm nëntë prej tyre kanë ndryshuar, kështu që kjo do të thotë se 99 për qind e proteinave janë akoma të njëjtë”.
Sahin tha se po zhvillohen hulumtime për variantin e ri të koronavirusit, dhe rezultatet priten në dy javët e ardhshme.
Vaksina Pfizer/BioNTech ka dalë të jetë 95 për qind efektive kundër COVID-19. Ajo është miratuar për përdorim në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe disa vende tjera.
Pak ditë pasi ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit Sars-CoV-2, një variant i ri i tij, edhe më përhapës, ka shkaktuar alarm.
Mbretëria e Bashkuar, ku edhe është zbuluar varianti i ri, ka vendosur masa të ashpra izolimi dhe ka lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi, ndërsa shumë vende të tjera i kanë ndaluar fluturimet prej atje.
“Kur virusi e ndryshon metodën e sulmit, ne duhet ta ndryshojmë metodën e mbrojtjes”, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson.
Varianti i ri është zbuluar për herë të parë në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër kanë qenë të këtij varianti; në mes të dhjetorit, afro dy të tretat.
Johnson ka thënë se varianti i ri mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm. Ai ka paralajmëruar se kjo mund ta rrisë për 0.4 vlerën R – një e dhënë që tregon nëse epidemia rritet ose zvogëlohet.