Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi të martën se nuk do të nënshkruajë paketën financiare prej 892 miliardë dollarësh ndihme për koronavirusin që përfshin fonde jetike për amerikanët, duke thënë se pagesat direkte të parashikuara në paketë, duhet të rriten.
Paralajmërimi i presidentit në largim, të cilit i mbetet më pak se një muaj në detyrë, shkakton paqartësi për një përpjekje dypartiake në Kongres për të siguruar ndihmë për njerëzit, jeta e të cilëve është ndikuar rëndë nga pandemia e koronavirusit.
“Paketa që po planifikojnë ta sjellin përsëri në tryezën time është shumë më ndryshe nga sa parashikohej”, tha Trump në një video të postuar në Twitter. “Është me të vërtetë e turpshme”.
Si Dhoma e Përfaqësuesve ashtu edhe Senati e miratuan legjislacionin të hënën në mbrëmje.
Trumpi tha se ai do që Kongresi ta rrisë shumën e pagesave personale në 2.000 dollarë për individët ose 4.000 dollarë për çiftet, në vend të 600 dollarëve që parashikon projekt-ligji, të cilën ai e quajti një “shifër qesharake”.
Presidenti Trump gjithashtu kritikoi pjesën e legjislacionit që parashikon fonde për vendet e huaja, Institutin Smithsonian dhe mbarështimin e peshkut, mes shpenzimeve të tjera.
“Unë kërkoj gjithashtu nga Kongresi që të eliminojë zërat shpërdoruese dhe të panevojshme nga ky legjislacion, dhe të më dërgojë një paketë të përshtatshme, përndryshe administrata tjetër do të duhet të dorëzojë një paketë për ndihmën për COVID-in. Dhe ndoshta ajo administratë do të drejtohet nga unë”, tha ai./Voa/