Kryeministri grek Alexis Tsipras, duke folur në debatin në Parlamentin grek, i njoftoi deputetët se Greqia e ka pranuar Notën verbale nga MPJ-ja e Maqedonisë, në të cilën kumtohet se janë plotësuar detyrimet konform Marrëveshjes së Prespës.
Tsiprasi iu drejtua Micotakisit dhe tha se në tekstin e marrë “fqinjët përveç që raportojnë, kanë edhe deklaratë interpretuese”, gjegjësisht se sqarohen pjesët e ndërlidhura me gjuhën dhe shtetësinë.
“Çka sqarojnë fqinjët tanë në atë tekst, që është juridikisht e detyrueshme dhe i përsërit detyrimet që dalin nga marrëveshja? Fillimisht, se termi nationality i përket kryesisht shtetësisë dhe nuk e definon ose sugjeron çështjen e nacionalitetit. E dyta, se gjuha e fqinjëve tanë, siç është përmendur në marrëveshje dhe është pranuar në konferencën e KB-së në vitin 1977, i takon grupit të gjuhëve sllave të Jugut”, tha Tsiprasi.