Të mërkurën, gjatë një mbledhjeje të përbashkët të Kongresit do të numërohen votat elektorale, të cilat kanë një rëndësi më të shtuar këtë vit, teksa republikanët në Kongres dhe aleatët e presidentit Donald Trump, po zotohen se do të tentojnë të zhbëjnë fitoren e demokratit, Joe Biden dhe të përmbysin vullnetin e amerikanëve, shkruan Associated Press.
Republikanët – dhjetëra senatorë dhe shumë anëtarë të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve – janë duke u thirrur në akuzat e pabaza të Trumpit për mashtrime zgjedhore. Ata po thonë se zyrtarisht do të kundërshtojnë rezultatet, por votimi në Senatin e kontrolluar nga republikanët dhe ato në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët, me shumë gjasë do të dështojë.
Nuk ka mashtrime të gjera në zgjedhje dhe kjo është konfirmuar nga një sërë zyrtarësh zgjedhorë dhe nga Willaim Barr, që dha dorëheqje muajin e kaluar nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm. As Trumpi dhe as ligjvënësit që kanë premtuar se do ta kundërshtojnë rezultatin, nuk kanë prezantuar të dhëna të besueshme që do të mund të përmbysnin rezultatin.
Pothuajse të gjitha proceset gjyqësore që janë iniciuar nga Trumpi dhe aleatët e tij janë hedhur poshtë nga gjykatësit. Gjykata Supreme – që përbëhet nga tre gjyqtarë të nominuar nga Trumpi – ka refuzuar kërkesat që të dëgjojë palët në rastet që kanë pasur synim shpalljen e pavlefshme të rezultatit të zgjedhjeve në shtetet kyçe amerikane.
Kongresi do të mblidhet më 6 janar dhe kjo mbledhje paraqet hapin e fundit për të riafirmuar fitoren e Bidenit, pasi Kolegji Elektoral zyrtarisht e zgjodhi atë president në muajin dhjetor të vitit të kalaur. Kjo mbledhje e Kongresit kërkohet që të mbahet në bazë të Kushtetutës dhe në të përfshihen një sërë hapash që duhet të ndërmerren.
Çfarë do të ndodhë kur Kongresi të mblidhet të mërkurën?
Sipas ligjit federal, Kongresi duhet të takohet më 6 janar, ku do të hapen certifikatat nga secili shtet ku janë votat elektorale. Votat më pas sillen në Kongres në kuti të posaçme, që përdoren për këtë rast.
Përfaqësuesit e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, nga të dy partitë, më pas lexojnë rezultatin dhe bëjnë numërimin zyrtar. Presidenti i Senatit, nënpresidenti Mike Pence, më pas vazhdon procedurën dhe shpall fituesin. Seanca nis në orën 13:00, sipas kohës lokale.
Çfarë kërkohet në Kushtetutë?
Kushtetuta amerikane thotë se Kongresi duhet të takohet dhe të numërojë votat elektorale. Nëse votat janë të barabarta, atëherë Dhoma e Përfaqësuesve përcakton se kush e fiton presidencën, ku secili delegacion i Kongresit ka një votë. Kjo nuk ka ndodhur që prej viteve 1800 dhe fitorja e Bidenit ndaj Trumpit është 306 me 232 vota elektorale.
Çfarë do të ndodhë gjatë kësaj seance?
Dy dhomat e Kongresit takohen në mesditë për të numëruar votat. Nëse nënpresidenti nuk mund ta udhëheqë mbledhjen, ka precedent, ku senatori nga partia e shumicës, që ka shërbyer më së gjati në Senat, e udhëheqë mbledhjen. Në rastin konkret, senatori që mund ta bëjë një që të tillë është republikani nga Ajova, senatori Chuck Grassley.
Kryesuesi hap dhe prezanton certifikatat me votat elektorale, të cilat janë të radhitura në mënyrë alfabetike sipas shteteve. Personat që caktohen për të treguar rezultatin janë anëtar të Dhomës dhe Senatit, nga dy partitë, të cilët do të lejojnë me zë të lartë të gjitha certifikatat dhe do t’i numërojnë votat. Në fund, kryesuesi njofton se kush ka fituar shumicën e votave, për president dhe nënpresident.
Çka nëse ka ndonjë kundërshtim?
Teksa lexohen certifikatat me votat elektorale nga shtetet amerikane, çdo anëtar i Kongresit mund të ngrihet në këmbë dhe të kundërshtojë votën e një shteti për çfarëdo arsye. Por, kryesuesi nuk do ta marrë parasysh kundërshtimi nëse nuk është në formë të shkruar dhe i nënshkruar nga një anëtar i Senatit dhe i Dhomës së Përfaqësuesve.
Nëse ka një kërkesë të tillë, mbledhja e përbashkët pezullohet dhe Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati mbajnë mbledhje të ndara dhe e shqyrtojnë një kërkesë të tillë. Në mënyrë që kundërshtimi të merret parasysh, të dy dhomat e Kongresit duhet të pajtohen përmes një shumice të thjeshtë votash. Nëse nuk pajtohen, votat origjinale elektorale numërohen pa u ndryshuar.
Herën e fundit kur një kundërshtim u mor nën shqyrtim ishte më 2005, kur republikania nga Ohajo Stephanie Tubbs dhe senatorja nga Kalifornia, Barbara Boxer, që të dyja demokrate, kundërshtuan votat elektorale të Ohajos, duke pretenduar se kishte parregullsi në votime. Edhe Dhoma e Përfaqësuesve si dhe Senati debatuan mbi këtë kundërshtim dhe e refuzuan atë. Kjo ishte hera e dytë në historinë amerikane që kishte ndodhur diçka e tillë.
Kush pritet të ketë kundërshtime?
Dhjetëra republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një grup më i vogël i senatorëve republikanë pritet të kundërshtojnë votat në disa shtete kyçe, ku Trumpi ka pretenduar se ka pasur mashtrime, pavarësisht se zyrtarët zgjedhorë dhe edhe ish-Prokurori i Përgjithshëm kanë thënë se nuk ka pasur parregullsi. Asnjëri nga republikanët nuk ka prezantuar të dhëna të detajuara dhe asnjëri prej tyre nuk ka kundërshtuar betimin e ligjvënësve, të cilët fituan zgjedhjet më 3 nëntor.
Në Senat, senatori nga Misuri, Josh Hawley ishte i pari që tha se ai do t’iu bashkohet republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve. Të shtunën, më 2 janar, senatori Ted Cruz nga Teksasi, njoftoi se së bashku me njëmbëdhjetë senatorë të tjerë janë zotuar se do të votojnë kundër disa votave elektorale të disa shteteve, të cilat nuk i ka specifikuar, nëse Kongresi nuk formon një komision zgjedhor, i cili do të kryente një auditim të menjëhershëm të rezultateve zgjedhore. Hawley dhe Cruz janë në mesin e kandidatëve të mundshëm presidencialë për zgjedhjet e 2024.
Republikanët janë të ndarë. Lideri republikan në Senat, Mitch McConnell u ka bërë thirrje kolegëve të tij që të mos kundërshtojnë rezultatin dhe muajin e kaluar ai kishte thënë se një gjë e tillë do të ishte “e tmerrshme”.
Disa republikanë të tjerë në Senat po ashtu e kanë kritikuar këtë vendim, përfshirë këtu senatorin nga Teksasi, John Cornyn dhe senatorin nga Dakoda e Jugut, John Thune, që është republikani numër dy në Senat. Thune tha muajin e kaluar se çdo kundërshtim do të hidhej poshtë në Senat.
Të dielën, më 3 janar, senatori nga Nebraska, Ben Sasse tha se sfidimi i fitores së Bidenit “është keq për shteti dhe keq për partinë”.
Cili është roli i nënpresidentit Pence?
Roli i nënpresidentit Pence është gjerësisht ceremonial dhe ai nuk ka fuqi që të ndikojë në rezultatin e përgjithshëm, pavarësisht se Trumpi do të dëshironte që ai të kishte.
Roli i nënpresidentit si kryesues i seancës është paksa i sikletshëm dhe njëjtë do të jetë edhe për Pence, i cili do të duhet të shpall fitoren e Bidenit – dhe njëherësh edhe humbjen e tij – pasi të numërohen votat elektorale.
Por, Pence nuk është nënpresidenti i parë që do të jetë në këtë situatë të papërshtatshme. Më 2001, nënpresidenti Al Gore, shpalli fitues republikanin George W.Bush, i cili e mposhti nënpresidentin Gore me një rezultat të ngushtë. Më 2017, Biden e shpalli fitues Trumpin. Biden po ashtu hodhi poshtë të gjitha kundërshtimet e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të cilët nuk kishin mbështetjen e Senatit.
Çfarë ndodh pas numërimit të votave në Kongres?
Mbledhja e përbashkët është shansi i fundit zyrtar për të paraqitur kundërshtime, përveç rasteve që janë dërguar në gjykata, që deri më tani kanë qenë të pamjaftueshme për Trumpin dhe ekipin e tij.
“Besoj se vjen një kohë kur duhet ta kuptosh se pavarësisht përpjekjeve tuaja më të mira, ju nuk keni qenë të pasuksesshëm”, tha Cornyn më herët gjatë këtij muaji.