Gjatë intervistës së tij për gazetaren Matilda Mcini në Ora News, nënkryetari i LSI Petrit Vasili foli edhe për mënyrën se si partia ku ai aderon do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
Sipas Vasilit, taktika që do të ndjekin partitë e koalicionit opozitar nuk ka rëndësi. Rëndësi, sipas tij, ka maksimizimi i votës.
Vasili shtoi se LSI i qëndron marrëveshjes së firmosur rreth një vit e gjysmë më parë me PD dhe partitë e tjera opozitare.
“Që te jemi të qartë për publikun. PD, LSI dhe partitë e tjera opozitare kanë një marrëveshje të nënshkruar publikisht , gati një vit e gjysmë më parë. Nuk ka asnjë devijim, asnjë lëvizje dhe ajo marrëveshje është në fuqi. Pra, opozita ndan të njëjtat objektiva politike, është e bashkuar dhe merr përsipër bashkëqeverisjen për nesër.
Mënyra e konkurrimit, pra taktika, është një çështje tjetër. Nuk ka asnjë rëndësi taktika. Rëndësi ka që gjithë ky koalicion i madh opozitar të maksimizojë votën. Duke krijuar lista më vete, duke u bashkuar një pjesë. Secila parti do të zgjedhë mënyrë e konkurrimit që është më komod për të maksimizuar votën opozita. Që çdo votë opozitare të marrë vlerën që ka.
Unë nuk mund të marr përsipër një vendim që nuk është vendimi im, por i forumeve të LSI. Por natyrshëm, besoj se po përvijohet një qëndrim që të maksimizojmë votën sepse ky është edhe imponimi nga Kodi. LSI, nga këndvështrimi im, unë e shoh duke krijuar aleancën e saj dhe të tërë ata që natyrshëm janë afër objektivave dhe programit të konkurrojnë së bashku me LSI-në. Natyrshëm, të dy programet, i PD dhe i LSI nesër në qeverisje do të fuzionohen, do të shkrihen me njëri-tjetrin për të arritur objektivat, ku secila palë do të ketë objektivat e saj të forta, të pakapërcyeshme. Ka disa prioritete madhore PD, ka disa prioritete madhore LSI. Por taktika, PD koalicion të vetin, ne me koalicionin tonë për të mos demotivuar asnjë votë. Sepse ka njerëz që mund ti demotivojë lista e përbashkët. Unë e shoh LSI në koalicion, në një listë të përbërë në këtë mënyrë“, u shpreh ndër të tjera Vasili për Ora News.