Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, shpëtoi nga rrëzimi prej pushtetit përmes mocionit të mosbesimit, duke e fituar atë me rezultat të ngushtë.
Conte, i cili ka udhëhequr dy administrata të ndryshme qeverisëse nga viti 2018, u përkrah nga 156 deputetë në Senat, ndërsa 140 të tjerë votuan për rrëzimin e tij e 16 abstenuan. Ai e fitoi mocionin e mosbesimit edhe në Dhomën e Ulët të hënën.
Fitorja e tij në këtë betejë i jep fund trazirave politike që u nxitën nga ish-kryeministri Matteo Renzi, i cili javën e kaluar e largoi partinë e tij të vogël nga koalicioni qeverisës për shkak të mosmarrëveshjeve rreth menaxhimit të situatës së pandemisë dhe planit për rimëkëmbje ekonomike.
Gjatë fjalimit të tij para senatorëve, Conte e akuzoi partinë e ish-kryeministrit Renzi për krijim të kaosit duke bërë vazhdimisht kërkesa që ishin qartazi përçarëse, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Ju siguroj që është shumë vështirë të qeverisësh në këto kushte, me njerëz që vazhdimisht vendosin mina në rrugën tënde dhe përpiqen ta minojnë baraspeshën politike që është arritur me durim nga koalicioni”, tha Conte.
Ai u bëri thirrje politikanëve që ta shmangin rrëzimin e qeverisë në pandemi, gjatë së cilës kanë vdekur mbi 83.000 italianë. Conte gjithashtu premtoi se do ta modernizojë vendin dhe ta zbatojë shpejt planin për rimëkëmbje ekonomike.