Ndryshe nga sa mendohej, nuk është Tirana ajo që ka përhapjen më të madhe të virusit, por Gjirokastra.
Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka bërë një studim të shifrave të Covid-19 në vendin tonë.
Në një analizë të hollësishme të publikuar në profilin e tij në Facebook, Alimehmeti shkruan se është krijuar ideja se Tirana është më e prekura, por ajo ka më shumë banorë.
Shkrimi i plotë:
Nëse i torturon mjaftueshëm të dhënat, ato do të rrëfehen”. Cit.: Prof. Ronald H. Coase
Miqtë e mi, është koha t’i hedhim një sy më të hollësishëm të dhënave tona zyrtare! Sllogani “Test, Test, Test” i OBSH-së tashmë na del dhe në ëndërr por rëndësinë e vërtetë ndoshta e kemi anashkaluar. Le të shohim të dhënat tona dhe të kuptojmë më shumë! Ministria e Shëndetësisë na ofron përditë një buletin të dhënash që ka nevojë për një përpunim më të qartë në mënyrë që të jetë më i përtypshim për popullatën e gjerë.
Është krijuar përshtypja e rreme se Tirana ka numrin më të lartë të rasteve dhe të vdekshmërisë, ku shohim se Tirana ka pasur 30.500 raste ndërsa qarku i dytë është Fieri me 5.855 raste ku gabimisht duket sikur Tirana ka 5.2 fish më shumë raste.
Kjo është pjesërisht e kuptueshme sepse është qarku me numrin më të lartë të popullsisë dhe me dendësinë më të lartë të saj, por VETËM PJESËRISHT! Për të rregulluar këtë fenomen mjafton të shprehen të dhënat për çdo 100.000 banorë dhe jo në vlera absolute. Nëse e bëjmë vërejmë se rastet e evidentuara për 100.000 banorë sipas qarkut riformatohen shumë.
Në detaj:
Gjirokastër 3.616 raste/100 mijë banorë
Tiranë 3.366 raste/100 mijë banorë
Lezhë 2.725 raste/100 mijë banorë
Berat 2.373 raste/100 mijë banorë
Kukës 2.083 raste/100 mijë banorë
Vlorë 2.184 raste/100 mijë banorë
Fier 2.020 raste/100 mijë banorë
Durrës 1.931 raste/100 mijë banorë
Shkodër 1.971 raste /100 mijë banorë
Korçë 1.733 raste/100 mijë banorë
Elbasan 1.510 raste/100 mijë banorë
Dibër 1.394 raste/100 mijë banorë