“Do jem në treshen e parë të listës së kandidatëve në Durrës”, deklaroi në një emision televiziv, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, ndërsa tha se do kandidojmë me dy lista në disa zona dhe fushatë e kombinuar është bërë për shkak se në disa qarqe LSI ka vota mjaftueshëm sa për t’i konvertuar në mandate.
Duka tha se kemi negociuar me PD dhe kemi lëshuar të dy palët. “Në fakt pretendonim më shumë nëse do ishin ato sistemet klasike, me aleanca të përbëra ku të dilnim me siglat tona, por në kushte e krijuara pranuam të kemi një mandat të sigurt në Durrës dhe përfaqësim në të gjithë Shqipërinë. Në Durrës do jem brenda treshes së parë”, u shpreh Duka.
Duka u shpreh se opozita do hyjë me dy lista në zgjedhje. “Kjo është një ndarje taktike e menduar nga liderët e partive, por e detyruar për shkak të Kodit Zgjedhor”, tha ai.
“Ne jemi të detyruar të dalim me dy lista sepse në disa qarqe LSI ka vota për t’i konvertuar në mandat dhe në disa rrezikon. Kjo është ndarje taktike. Të detyron Kodi Zgjedhor nuk ke si e bën ndryshe”, tha Duka.