Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu deklaro se nuk ka ende një marrëveshje me Partinë Demokratike për përfaqësimin në zgjedhjet e 25 prillit.
I ftuar në një emision televiziv, Mediu tha se kur arsyetojmë historikun elektoral, në 2017 kemi pasur një problem të madh në konceptim elektoral, që do të thotë se u përpoqëm të ndërtonim një koalicion por nuk ishte i tillë. “Përfshiu kryetarët e partive në lista, nuk funksionoi si koalicion dhe shumë vota rreth 70-80 mijë vota nuk erdhën në eficencë tek PD”, u shpreh ai.
Ai shtoi se ne po flasim për një marrëveshje e cila duhet të ketë kritere të vlerësimit të barabartë të të gjitha palëve. “Ne e kemi marrë një mandat në Tiranë i cili e tejkalon numrin e votave të nevojshme sipas ligjit, pra në 2013. Çështja është se ne kandiduam me vete në 2013 dhe morëm 11 mijë vota në Tiranë”, tha Mediu.
“Unë mendoj nëse PD tenton të shkojë drejt 51% nuk ka kuptim që partitë e tjera të zvogëlohen. Ajo që kemi kërkuar ne është që të konkurrojmë në Tiranë, jo të na japë PD dhe të konkurrojmë në rrethe sipas pozicionit që i takon PR-së”, tha ai.
Mediu shtoi se ne kemi kërkuar të dalim me një platformë të koalicionit politik në zgjedhje dhe duhet të kemi një platformë qeverisëse të përbashkët.
“Kam takuar Bashën para tre ditësh. Fatmir Mediu do konkurrojë në Tiranë, negociatat vazhdojnë”, tha ai.