Një gjykatë ruse të enjten urdhëroi që kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny, të mbahet në burg pasi e refuzoi kërkesën kundër ndalimit të tij. Navalny tha se ky vendim ka qenë i parashikueshëm.
Figura kryesore e opozitës ruse u dërgua në mbajtje për 30 ditë më 18 janar pasi u kthye në Rusia nga Gjermania për herë të parë që nga helmimi me Noviçok në gushtin e kaluar.
Gjykata në atë kohë urdhëroi që Navalny të ndalohej për dyshimet se i ka shkelur rregullat e dënimit me kusht, gjë që u mohua nga politikani opozitar. Me disa raste ligjore të cilat po e presin, Navaly mund të dënohet me disa vjet burgim. Perëndimi i ka bërë thirrje Rusisë që ta lirojë Navalnyn. Për të njëjtën kërkesë protestuan mijëra rusë të shtunën e kaluar.
Duke iu drejtuar gjykatës përmes video-lidhjes para marrjes së vendimit, Navalny kërkoi që të lirohet dhe i kritikoi ashpër ato që i quajti dyshime absurde që janë paraqitur nga autoritetet ruse për arsye politike, shkruan Reuters.
“Ne kurrë s’do t’i lejojmë këta njerëz që ta mbërthejnë dhe ta vjedhin vendin tonë. Po, forca e madhe është në anën tuaj tash. Ju mund të m’i vendosni prangat, por kjo nuk do të vazhdojë përgjithmonë”, tha Navalny.
Pasi gjykatësi e lexoi vendimin, Navalny iu drejtua me fjalët: “Gjithçka ishte e qartë për mua para fillimit të seancës gjyqësore, faleminderit”.
Aleatët e tij kanë bërë thirrje për protesta të reja këtë fundjavë për ta kërkuar lirimin e opozitarit. Autoritetet kanë thënë se protestat do të cilësohen ilegale dhe do të ndërpriten.