“Tani për tani nuk mund ta themi me saktësi vendndodhjen e lokacioneve, përderisa nuk kemi hulumtim të plotë i cili do të na dëshmojë të kundërtën”, tha kreu i Grupit Punues për personat e zhdukur në Kosovë, Makolli
Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur në Kosovë ka bërë të ditur se gjatë vitit 2021 përpos lokacionit në Kizhevak të Rashkës në Serbi, janë edhe dy lokacione të reja në këtë shtet ku po dyshohet se ka trupa të pajetë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i Grupit Punues për personat e zhdukur në Kosovë, Ibrahim Makolli tha se në vlerësimet e para në këto dy lokacione dyshohet se mund të ketë mbetje mortore ose trupa të bartura në këto vende.
“Tani për tani nuk mund ta themi me saktësi vendndodhjen e lokacioneve, përderisa nuk kemi hulumtim të plotë i cili do të na dëshmojë të kundërtën. Por, kemi kërkuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq sigurimin e imazheve satelitore në mënyrë që të lokalizojmë saktë këto lokacione dhe pastaj të ndërmarrim veprime të tjera që kanë të bëjnë me trajtimin e lokacionit që të konfirmojmë se informatat për mbetje mortore janë të sakta”, tha Makolli i cili shtoi se edhe brenda territorit të Kosovës ka një numër të lokacioneve të cilat do të trajtohen gjatë këtij viti.
Sa i përket kërkimeve në lokacionin e Kizhevakut të Rashkës në Serbi të cilat janë pezulluar në dhjetor për shkak të motit jo të favorshëm, Makolli tha se me rekomandim të ekspertëve mjeko-ligjorë ky lokacion është konservuar për të filluar me kërkime në fund të muajit mars, eventualisht në fillim të muajit prill të këtij viti.
“Tashmë dihet se është hasur në mbetjet e para mortore dhe ato janë siguruar dhe ato gjenden tash në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Beograd përderisa të bëhet identifikimi i tyre me metodat shkencore. Përderisa nuk bëhet ky identifikim ne nuk mund të paragjykojmë se cilët trupa janë. Në momentin e identifikimit, ata do barten në vendet nga iu takojnë”, theksoi ai duke folur për mbetjet mortore të gjetura në Kizhevak.
Të dhënat u bënë të ditura për gazetarët pas një memorandumi që nënshkroi Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ramë Manaj deklaroi se përmes këtij memorandumi këto dy institucione kanë përcaktuar disa objektiva, ku përfshihet shkëmbimi i dokumentacioneve e informacioneve të mbledhura nga arkivat ndërkombëtare, ndërtimi i kapaciteteve teknike, dixhitalizimi i të dhënave, themelimi i hartës për lokacionet e zhvarrosura si dhe të tjera elemente që do të ndihmojnë në gjetjen e personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Sipas Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), ekspertët e këtij misioni kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015 ndërsa më 16 nëntor u zbuluan mbetje mortore të cilat dyshohet se janë të viktimave të luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Pas më shumë se dy dekadave nga lufta e fundit në Kosovë, ende nuk dihet fati i mbi 1.600 personave.