Kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka përshkruar krizën e koronavirusit si një përpjekje të madhe nga familjet përballë bllokimit prej disa javësh, ndërkohë që bëri thirrje për durim, pas kritikave se qeveria federale e kishte filluar me ngadalësi fushatën e vaksinimit Covid-19.
Përveç kësaj, nga prodhuesit e vaksinave ka pengesa në furnizim.
“Ne nuk jemi ende gati të rihapim qendrat e kujdesit ditor dhe shkollat”, tha ajo në një fjalim.
“Por, sa më qëndrestarë të jemi tani, sa më shumë të përmbahemi nga kontakti dhe të mbajmë distancën atje ku është e pashmangshme, duke ndjekur rregullat e higjienës dhe duke mbajtur maska, aq më shpejt do të jetë e mundur përsëri”, theksoi ajo.
Sipas të dhënave të lëshuara nga Instituti Robert Koch (RKI) për kontrollin e sëmundjes dje kishte 12 321 infeksione të reja me koronavirus në të gjithë Gjermaninë, ndërkohë që të shtunën e një jave më parë kishte 16 417 infeksione të reja.
Gjermania aktualisht është në bllokim, me mbylljen e pubeve dhe restoranteve, shumë dyqaneve, si dhe shkollave dhe qendrave të kujdesit ditor deri në mes të shkurtit.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi që të jemi të parët që të rihapim qendrat e kujdesit ditor dhe shkollat në mënyrë që t’u kthejmë fëmijëve një pjesë të jetës së tyre të përditshme”, tha Merkel.
Në të njëjtën kohë, Merkel paralajmëroi kundër një rreziku real nga mutacionet e viruseve shumë ngjitëse.
Kreu i bllokut konservator të Merkelit në parlamentin gjerman, Ralph Brinkhaus, tha në një intervistë dje se bllokimi në Gjermani do të duhet të zgjatet përtej 14 shkurtit.
“Fillimi i fushatës së vaksinimit ishte i vështirë”, pranoi të premten ministri gjermane i Shëndetësisë, Jens Spahn.
”Ka pasur më pak vaksinë sesa pritej nga porositë e BE”, theksoi ai.
“Unë gjithashtu e kuptoj mirë padurimin, shumë mirë”, deklaroi Spahn.