Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa deklaroi sot se banorët e një pallati të dëmtuar nga tërmeti në zonën e Yrshekut, në Tiranë, janë rikthyer të jetojnë në banesat e tyre të dëmtuara, ndërsa u është ndërprerë dhe bonusi i qirasë.
“Më vjen keq që kthehem pas 14 muajsh dhe e gjej më keq sesa e lashë atëherë. Sepse nuk ishte edhe aq keq. Tani ju jeni në pasiguri totale se çfarë do të bëhet”,- u tha Ina Zhupa banorëve të pallatit.
“Këta e kanë treguar me kohë që nuk kujdesen për qytetarët. E kanë treguar që nuk u bën përshtypje. Bëjnë propagandë me rindërtimin dhe me bonuset, këtu as bonuset nuk janë dhënë dhe janë ndërprerë në mënyrë të çuditshme, as pallati nuk po rindërtohet ose të rregullohet, por thjesht ju lënë të jetoni në kushte të papranueshme dhe të mjerueshme. Ne po mundohemi që t’u bëjmë një apel publik që këto ditë që u kanë ngelur qeverisje, t’i shfrytëzojnë për njerëzit”,- u tha banorëve Zhupa.
“Megjithatë, afati final është 25 prilli. Pas 25 prillit situata do të ndryshojë, ne do të mbajmë përgjegjësi për gjendjen tuaj, do të rikthehemi këtu dhe do të fillojmë rindërtimin e pallatit sipas asaj që do të vendosin inxhinierët, që ky pallat të rindërtohet dhe ju të jetoni si njerëz me dinjitet.”- u shpreh Ina Zhupa./ATSH/