Punimet për rindërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës pritet të nisin në muajin tetor të këtij viti. Lajmin e dha ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili u njoh me infrastrukturën aktuale të kësaj baze dhe planin për investimin e NATO-s.
I shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj dhe zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore kolonel Ylli Pulaj, ministri Peleshi vizitoi bazën dhe pa nga afër mjediset ku do të ndërhyhet, për ta shndërruar Bazën Ajrore të Kuçovës, në bazën e vetme taktike të dislokueshme të NATO-s në rajon.
Ministri Peleshi e cilësoi investimin në këtë bazë si jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin tonë dhe bëri të ditur se punimet në terren do të nisin brenda vitit. “Është një projekt shumë i rëndësishëm në mos më i rëndësishmi i këtyre viteve të fundit sepse jo vetëm që na jep një infrastrukturë dhe kapacitete të modernizuara në hartën e Aleancës sonë, por rrit edhe peshën strategjike të vendit tonë në rajon dhe më gjerë. Jemi të gjithë të angazhuar dhe në kohë me kalendarin tonë, si me shpronësimet si me ato pjesë të punimeve që i kemi marrë përsipër t’i kryejmë, që nga rrethimi i bazës, rrugët e brendshme, furnizimi me energji elektrike dhe ujë, të cilat janë pjesë e investimit të palës sonë. Kontributi i palës shqiptare shkon në rreth 10 % të vlerës së përgjithshme të investimit në këtë bazë, e cila me investimin e NATO-s do të kthehet në një bazë taktike të dislokueshme. Punimet synohet të nisin në vjeshtë të këtij viti dhe tani jemi në fazën e procedurave të prokurimit nga Agjencia e Prokurimit e NATO-s. Në fund të marsit pritet të lidhen kontratat me kontraktorët. Ka shumë të interesuar, kontraktorë vendas dhe të huaj që do të operojnë për të zbatuar projektet. Në planin tonë kalendarik të punimeve në këtë bazë parashikohet nga muaji tetor-nëntor të nisnin punimet që do të zgjasin deri në fund të vitit 2023.”- u shpreh ministri Peleshi.
Investimi prej rreth 50 milionë Euro, 5 prej të cilave nga buxheti i shtetit, konsiston në ndërtimin e depove të armatimit dhe të karburantit, stacioneve të armatimit, parkingut të avionëve, stacionit kundër avarive dhe zjarreve, rindërtimin e pistës dhe kullës së kontrollit./ATSH/