“Që historia e 3-4 shkurtit kurrë më të mos përsëritet, nevojitet vendosmëri dhe guxim shtetëror për ta garantuar sigurinë e secilit qytetar të Kosovës”, ka shkruar ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 21-vjetorin e vrasjes së dhjetë qytetarëve shqiptarë, plagosjen e 25 të tjerëve dhe dëbimin e 1.564 familjeve nga shtëpitë e tyre në Mitrovicë më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000.
Osmani nëpërmjet një komunikate për media tha se barra për këto veprime bie mbi strukturat paralele të dirigjuara nga shteti i Serbisë.
“Nuk mund të ketë as paqe të qëndrueshme e as stabilitet nëse njerëzit në çdo cep të Kosovës nuk ndihen të lirshëm për të jetuar e për të lëvizur. Koha është që tërësia territoriale e Kosovës të mos jetë vetëm në letër, por edhe në praktikë”, ka shkruar Osmani.
Ajo tha se është për një Kosovë në të cilën krimet nuk mbeten statistika në raporte, por trajtohen në organet e drejtësisë.
“Që historia e 3-4 shkurtit kurrë më të mos përsëritet, nevojitet vendosmëri dhe guxim shtetëror për ta garantuar sigurinë e secilit qytetar të Kosovës, në çdo cep të saj. Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët shqiptarë të varë me 3-4 shkurt!”, përfundoi Osmani.
Trazira e fillimit të shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicën që atëherë ishte vetëm një qytet, kishte ndodhur përderisa për sigurinë në veri kujdeseshin forcat paqeruajtëse të KFOR-it francez dhe Policia e Misionit të Bashkimit Evropian “UNMIK”.
Për këtë rast ishte gjykuar edhe ish-lideri i Iniciativës Qytetare serbe, Oliver Ivanoviq, i cili nga Gjykata Themelore e Mitrovicës ishte shpallur i pafajshëm në vitin 2016.
Të akuzuar bashkë me Ivanoviqin në këtë rast të krimeve të luftës ndaj shqiptarëve ishin edhe katër persona të tjerë, komandanti i policisë së Mitrovicës gjatë asaj periudhe, Dragolub Delibashiq, vëllezërit Ilija dhe Nebojsha Vujaçiq, si dhe Aleksandar Lazoviq, por asnjëri prej tyre nuk është shpallur fajtor.
Më 3 shkurt 2000, pjesëtarë të policisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ata të Rojave të Urës, iu bashkuan një grupi të serbëve të Mitrovicës Veriore që hynë në ndërtesat ku jetonin familjet shqiptare, në pjesën veriore të qytetit, duke ndërmarrë veprime për dëbimin dhe vrasjen e tyre me mjete eksplozive, armë dhe thika.
Me këtë rast, jetën e kishin humbur: Nderim Ajeti, Nexhmije Xhaka, Sebiha Abrashi, Remzije Canhasi, Muharrem Sokoli, Selime Berisha, Nezir Voca, Shqipe Voca, Bashkim Rukeci dhe Nimon Sejdiu.
Sipas të dhënave të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, gjatë trazirave të shkurtit të vitit 2000, serbët kishin vrarë 10 shqiptarë, plagosur 25 persona, torturuar në mënyrë barbare 93 shqiptarë të tjerë dhe kishin dëbuar 11.364 shqiptarë nga shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës.