Sipas njoftimit të qeverisë britanike, sekretari Dominic Raab do të përcjellë një mesazh të “zgjidhjes së suksesshme” në takimet e tij të ditës së nesërme me udhëheqësit e Qipros Turke dhe Qipros Greke
Qeveria britanike ka bërë të ditur se Mbretëria e Bashkuar do të inkurajojë qipriotët turq dhe qipriotët grek për një zgjidhje të çështjes së Qipros në bisedimet e ardhshme të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të qeverisë britanike, sekretari Dominic Raab do të përcjellë një mesazh të “zgjidhjes së suksesshme” në takimet e tij të ditës së nesërme me udhëheqësit e Qipros Turke dhe Qipros Greke.
Vizita e sekretarit britanik në Qipro vjen para bisedimeve të javëve të ardhshme të udhëhequra nga OKB-ja, ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e Qipros Turke dhe Qipros Greke, si dhe zyrtarë nga fuqitë garantuese, përkatësisht nga Turqia, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar.
“Mbretëria e Bashkuar dhe Qiproja kanë lidhje të thella historike, përfshirë në arsim, mbrojtje, tregti dhe më e rëndësishmja, në popujt tanë. Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar të mbështesë miqtë tanë në Qipro në ndjekjen e paqes së qëndrueshme në këtë rajon”, tha Raab.
Javën e kaluar, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se ai synon në fillim të muajit mars të thërrasë një takim me palët e Qipros.
Duke theksuar ndryshimin në administratën e Qipros Veriore, Guterres tha se takimi i marsit do të jetë një takim joformal pa parakushte për të lejuar palët “të diskutuojnë sinqerisht midis tyre”.
Dhjetorin e kaluar, në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC) u formua një qeveri e re.
Ishulli i Qipros është ndarë që nga viti 1974, pas grusht shtetit të qipriotëve grek kur edhe Turqia ndërhyri nën statusin garantues të Ankarasë për të mbrojtur komunitetin turk të ishullit.
Çështja e Qipros ka kaluar një proces të gjatë bisedimesh, përfshirë iniciativën e dështuar të vitit 2017 në Zvicër nën kujdesin e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
TRNC u themelua në vitin 1983.