Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka ripërsëritur këtë të mërkurë apelin ndaj krerëve të partive politike për të mos vendosur në listat për deputetë, persona që kanë probleme me ligjin.
Në një postim në Twitter ambasadorja thekson se liderët nuk duhet ta bëjnë këtë sepse e kërkojnë ambasadorët, por se duhet respektuar ligji dhe është një shenjë themelore e respektit për votuesit.
“Drejtuesit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thanë kështu ose sepse Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se korrupsioni është një përparësi. Ata duhet ta bëjnë atë sepse kërkohet nga ligji i Shqipërisë, pritet nga një Aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së dhe është një shenjë themelore e respektit për votuesit”, shkruan Kim.
Kjo deklaratë e Kim vjen pasi ditën e djeshme në konferencën për shtyp Rama tha se nuk është e nevojshme që dikush t’i kujtojë punët dhe detyrën e tij karshi ligjit. Sipas kreut të qeverisë, ligji është i qartë, kush ka vepra penale për të cilat është dënuar duhet të mos kandidojë për një funksion publik.
“Unë nuk kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikanë detyrën time. Kam shumë respekt, ajo është në të drejtën e vet. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane. Nuk kam nevojë të ma kujtojnë punë asnjë ambasador. Unë e di shumë mirë detyrën time karshi ligjit dhe popullit shqiptar. Ligji është fare i qartë. Kush ka bërë në të shkuarën vepra penale për të cilat është dënuar duhet të mos kandidojë për një funksion publik. Madje unë e kam nxitur që të shtihet edhe në admimistratë. Ligji bazohet në deklarimin dhe mbi kontrollin”, tha Rama dje.