Përfaqësuesja e Shqipërisë do të luajë ndeshje miqësore kundër Uellsit më datën 5 qershor, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), të mërkurën. Kjo ndeshje do të luhet në Uells, saktësisht në stadiumin “Cardiff City Stadium” prej orës 18:00.
Sipas federatës shqiptare, kjo do të jetë përballja e katërt ndërmjet Shqipërisë dhe Uellsit.
“Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një miqësore me Uellsin më datë 5 qershor 2021. Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se të dyja federatat kanë rënë dakord për zhvillimin e kësaj ndeshjeje që do të zhvillohet në Uells. Takimi do të luhet në “Cardiff City Stadium” dhe do të nisë në ora 18:00. Kjo do të jetë ndeshja e katërt midis Shqipërisë dhe Uellsit në histori, teksa në të kaluarën janë përballur tre herë me njëra-tjetrën”, thuhet në faqen zyrtare të FSHF-së.
Herën e fundit, Shqipëria e mposhti Uellsin (1:0) në miqësoren e luajtur në nëntor të vitit 2018, me golin e sulmuesit Bekim Balaj.