Ghebreyesus: Nacionalizmi vaksinor dëm për të gjithë dhe mbrojtje për askënd

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Nacionalizmi vaksinor përbën një dëm për të gjithë ne dhe nuk përbën mbrojtje për askënd, deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një koment për ”Foreign Policy”.

”Aktualisht, ne jemi në garë me kohën. Zhvillimi i vaksinave të sigurta dhe efektive kundër Covid-19 në një kohë rekord përbën një dëshmi të jashtëzakonshme të aftësive të shkencës. Nëse vaksinat do t’i japin fund kësaj pandemie të tmerrshme, kjo është një provë e vullnetit politik dhe angazhimit moral të botës”, thotë Ghebreyesus.

”Kapaciteti aktual i prodhimit plotëson vetëm një pjesë të nevojës globale. Vaksinat janë shansi më i mirë për ta vënë nën kontroll këtë pandemi, por kjo vetëm nëse liderët nuk bien pre e nacionalizmit vaksinor”, theksoi ai.

”Nacionalizmi vaksinor nuk mund të mbrohet në aspektin moral. Ai është epidemiologjikisht vetëshkatërrues dhe klinikisht joproduktiv. Vetëm mekanizmat e drejtuara nga tregu janë të pamjaftueshme për të përmbushur synimin e ndalimit të pandemisë dhe arritjen e imunitetit të tufës përmes vaksinave”, tha ai.

”Lënia pa vaksina e shumicës së popullsisë së botës, jo vetëm që do ta zgjaste pandeminë, por edhe do të shtonte numrin e vdekjeve të panevojshme, dëmet ekonomike nga bllokimet dhe të provokonte mutacione të reja të Covid-19, që do të vazhdojë të përhapet midis popullatave të pambrojtura”, theksoi Ghebreyesus.

”Popullsitë dhe komunitetet e pambrojtura kudo që të ndodhen, do të vazhdojnë të vuajnë efektet dytësore të pandemisë. Bllokimet e vazhdueshme nënkuptojnë rrënim ekonomik, me më shumë njerëz që zhyten në varfëri”, tha shefi i OBSH-së.

”Për momentin asnjë vend nuk ka doza të mjaftueshme vaksinash. Por, mungesa e tyre në vendet e varfra është veçanërisht e tmerrshme. Për sa kohë që liderët botërorë po vendosin se jeta dhe jetesa e kujt duhet të jetë një prioritet, dhe për sa kohë që të gjithë përpiqen të sigurojnë doza të mjaftueshme vetëm për vete, të gjithë ne jemi duke e humbur këtë luftë”, theksoi ai.

”OBSH vlerëson se të paktën 30 000 punonjës të kujdesit shëndetësor kanë vdekur tashmë nga Covid-19. Që ta vendosim pandeminë nën kontroll, e vetmja zgjidhje e përhershme është të vaksinohen sa më shumë njerëz në të gjithë botën dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundon drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një koment për ”Foreign Policy”.

Share This Article