Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas arrestimit të drejtuesve të PD në Librazhd dhe Prrenjas pas protestave të organizuara kundër kryeministrit Rama në këto dy qytete, duke i cilësuar si përpjekje për të frikësuar opozitën.
Për Lulzim Bashën, këto akte janë vijnë nga një regjim represiv dhe jo nga një vend demokratik.
“Këto veprime janë reprezalje të hapura ndaj kundërshtarëve dhe qytetarëve që protestojnë kundër regjimit të Edi Ramës. Ato vijnë pas arrestimeve dhe ndalimeve të 500 mbështetësve të opozitës. Mbeten akoma në burg në mënyrë të paligjshme mbi 50 qytetarë. Ky është bilanc regjimesh represive dhe jo të një vendi evropian. Sistemi i drejtësisë është shpartalluar, Parlamenti është shpartalluar. Edi Rama ka vendosur në Shqipëri një pushtet autokratik jashtë Kushtetutës. Pasi vuri në nën kontroll të gjitha pushtetet, tani po i përdor për të ushtruar dhunë ndaj kundërshtarëve. Në këtë aventurë, Edi Rama mbështetet nga Sandër Lleshaj dhe Arta Marku. Ju bëj thirrje policëve dhe prokurorëve që e ndjenë veten pjesë të ligjit që të mos u binte urdhrave të paligjshme të autokratit të inkriminuar, Edi Rama. Këto akte thjeshtë po thellojnë me shpejtësi gropën ku ka rënë Edi Rama. Asgjë dhe askush nuk e ndal betejën tonë për Shqipërinë si gjithë Evropa. Asnjë hap pas deri në triumfin e demokracisë ndaj narkoshtetit”, deklaroi Basha.
23 të proceduar ndër ta 7 janë arrestuar pas protestës së organizuar pasditen e 13 qershorit në hyrje të qytetit të Librazhdit si dhe Përrenjasit kundër kryeministrit Rama, teksa ky i fundit do të zhvillonte edhe takime elektoral në këto qytete.
Mes të arrestuarve janë kryetari i Degës së PD-së Librazhd Bujar Vreto, ish-deputeti Aurel Bylykbashi, sekretari i PD Librazhd, Erlind Gurra, kreu i PD Përrenjas Arjan Karriqi, si dhe sekretari i PD Prrenjas, Leonard Ozuni.
Deklarata e plotë e kreut të PD, Lulzim Basha:
Dje gjatë mbrëmjes dhe vonë gjatë natës policia politike e Edi Ramës ka ndaluar dhjetëra anëtarë dhe mbështetës së Partisë Demokratike në Elbasan dhe Librazhd dhe ka arrestuar:
− dy drejtuesit e Partisë Demokratike të Librazhdit, Kryetarin, zotin Bujar Vreto dhe Sekretarin zotin Erlind Gurra;
− dy drejtuesit e PD-së Prrenjas, Kryetarin zotin Arjan Karriqi dhe Sekretarin zotin
Leonard Ozuni;
− ish-deputetin dhe ish-kryetarin e PD-së Elbasan, zotin Aurel Bylykbashi;
− si dhe dy mbështetës së Partisë Demokratike Dashamir Boja nga Gostima dhe Bujar Kllojku nga Librazhdi.
Këto veprime janë raprezalje të hapura politike ndaj kundështarëve politikë dhe qytetarëve që protestojnë kundër regjimit të Edi Ramës.
Ato vinë mbas ndalimit të rreth 500 anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike gjatë pesë muajve të fundit. Ndërkohë mbi 50 mbështetës dhe anëtarë të Partisë Demokratike mbahen në arrest në burgje.
Qindra qytetarë të tjerë që kanë protestuar kundër qeverisë nga Kukësi në Shkozë, tek Unaza e Re dhe kudo në Shqipëri janë ndaluar, keqtrajtuar, rrahur, dhunuar dhe arrestuar në mënyrë të paligjshme këto muajt e fundit.
Ky është bilanc regjimesh represive dhe jo i një vendi demokratik europian.
Ndërkohë sistemi i drejtësisë është shpartalluar. Parlamenti është shpartalluar. Administrata publike është militantizuar në ekstrem.
Tashmë nuk ka më asnjë iluzion. Edi Rama ka vendosur në Shqipëri një pushtet autokratik, jashtë Kushtetutës dhe të kundraligjshëm.
Pasi vuri nën kontroll të gjitha pushtetet, tani ai po I përdor ato si vegla për të ushtruar dhunë, përndjekur dhe kërcënuar çdo kundërshtar dhe kritik të regjimit të tij.
Raprezaljet e fundit politike të Edi Ramës kanë një qëllim të qarta politik:
Të intimidojnë opozitën dhe qytetarët për t’u tërhequr nga beteja jonë kundër regjimit të tij kriminal.
Është plani diabolik i një njeriu në panik total për humbjen e pushtetit. Është rruga pa krye që po e çon Ramën drejt greminës, ku kerkon të tërheqë me vetetë gjithë Shqipërinë.
Në këtë aventurë të rrezikshme, Edi Rama ndihmohet nga dy vegla të paskrupullta, Sandër Lleshi dhe Arta Marku, të cilët e kanë kthyer policinë dhe prokurorinë në instrumenta të represionit politik në shërbim të pushtetit personal dhe të korruptuar të Edi Ramës.
U bëj thirrje policëve dhe prokurorëve që e ndjejnë veten njerëz të ligjit dhe të rendit të mos u binden urdhrave politikë dhe të paligjshëm të autokratit të korruptuar dhe të inkriminuar Edi Rama dhe të veglave të tij.
Askush të mos ketë dyshimin më të vogël:
Këto akte represive për t’u mbyllur gojën dhe goditur kundërshtarët politikë thjesht po thellojnë me shpejtësi gropën, ku ka rënë Edi Rama.
Ato e bëjnë të pashmangshëm dhe të shpejtë fundin e tij të keq, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij, pa asnjë përjashtim, nga kriminelët e bandave deri tek policët dhe prokurorët e kriminalizuar që i shërbejnë Edi Ramës.
Asgjë dhe askush nuk e ndal betejën tonë për Shqipërinë si gjithë Europa.
Asnjë hap pas, deri në triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin.