Marrëveshja e partneritetit Shqipëri-Britani e Madhe e nënshkruar në Tiranë siguron të njëjtat kushte tregtare preferenciale edhe pas Brexit.
Shqipëria nënshkroi të premten, (5.02) Marrëveshjen e Partneritetit, Tregtisë dhe Bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandën e Veriut.
Burime zyrtare nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë bënë të ditur për Deutsche Wellen, se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje “është njё hap i mёtejshёm nё përmbushjen e kuadrit ligjor mes dy vendeve në të tria këto fusha. Marrëveshja synon sigurimin e vijimit të bashkëpunimit dhe tregtisë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, me të njëjtat kushte preferenciale dhe pas daljes së saj nga BE”.
Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaꞔka dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Norman Dunkan.
Instrument për të thelluar bashkëpunimin ekonomik
Ajo ka një qasje trepalëshe në raport me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë dhe Bashkimin Evropian. Palët kanë rënë dakord qё në tregtinë mes tyre të ruajnë të njëjtat kushte preferenciale të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, për produktet bujqësore, industriale dhe të angazhohen për të siguruar një platformë për liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë midis tyre.
Importet nga Britania e Madhe zënë rreth 1.4 % të totalit të importeve të Shqipërisë nga vendet anëtare të BE-së dhe 0.4% të totalit të eksporteve në vendet e BE-së. Nënshkrimi të premten i marrëveshjes së Partneritetit, Tregtisë dhe Bashkëpunimit vlerësohet si një instrument për të thelluar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, ndikuar në rritjen e eksporteve të Shqipërisë dhe përmirësuar bilancin e saj tregtar.