Diplomatët e dëbuar nga Rusia akuzohen, se kanë marrë pjesë në demonstratat për kritikun e Kremlinit Alexej Navalny. Të prekur janë edhe diplomatë gjermanë.
Ministria e Jashtme ruse njoftoi, se ka shpallur „persona të padëshiruar” diplomatë nga Gjermania, Polonia dhe Suedia, pasi ata kanë marrë pjesë në „protestat ilegale” të opozitës kundër arrestimit të kritikut të qeverisë Alexej Navalny. Atyre u është kërkuar që „në një ardhme të afërt” të largohen nga Rusia. Ministria nuk deklaroi numrin e saktë të diplomatëve të dëbuar. Ministria e Jashtme në Moskë i akuzon diplomatët, se kanë marrë pjesë në demonstratat më 23 janar në Shën Peterburg dhe në Moskë. Rusia një veprim të tillë e konsideron si të „papranueshëm dhe jo në përputhje me statusin diplomatik”.
Qeveria gjermane reagoi ashpër: „Ne e konsiderojmë të pajustifikueshëm dëbimin dhe besojmë, që ky është një tjetër aspekt se Rusia është shumë larg shtetit ligjor sikurse po vërehet aktualisht”, tha kancelarja Angela Merkel para gazetarëve në Berlin. Ministri i Jashtëm Heiko Maas tha, se dëbimi „nuk është aspak i justifikueshëm” dhe i dëmton edhe më tej raportet e Rusisë me Europën. “Nëse Federata Ruse nuk e rimendon këtë hap, ai nuk do të mbetet pa përgjigje”, deklaroi Maas.
Ministria e Jashtme në Berlin ndërkohë e ka thirrur ambasadorin rus për një „bisedë urgjente”. Sekretari i shtetit Miguel Berger „i ka bërë të qartë qendrimin gjerman” ambasadorit rus Sergej Netshajev, thuhet më tej. Edhe Polonia e ka thirrur ambasadorin rus në Varshavë. Ministria e Jashtme e Suedisë i komunikoi Moskës, se e konsideron këtë qendrim tërësisht të paargumentuar.
Në protestat pa leje në janar në mbarë vendin morën pjesë dhjetëra mijëra vetë. Pas protestave pati arrestime të mijëra vetëve. Maas tha, se diplomati i prekur gjerman, ka qenë në vendin e ngjarjes duke kryer detyrën e informimit me mjete ligjore lidhur mbi zhvillimet, sikurse është e parashikuar në Marrëveshjen e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Marrëdhëniet mes Moskës dhe vendeve të BE-së janë të rënduara që nga viti 2014 pas aneksimit të Krimesë. Tensionet u shtuan edhe më shumë prej rastit Navalny. Kritiku më i ashpër i presidentit Vladimir Putin në mes të janarit pas kthimit nga kurimi në Gjermani u arrestua në Moskë dhe më pas u dënua me disa vite burgim. Ai qëndroi në Gjermani për trajtim mjekësor pas një sulmi me lëndë toksike, për të cilin ai bën përgjegjëse qeverinë ruse.
Ndërkohë i Ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme Joseph Borrell ndodhet për një vizitë disa ditore në Moskë. Lidhur me rastin Navalny, Borrell gjatë një bisede me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov u shpreh se marrëdhëniet europiano-ruse kanë rënë në “nivel të ulët”. Të dyja palët megjithatë shprehën vullnetin për vazhdimin e dialogut. Borrell mësoi për dëbimin e diplomatëve europiane gjatë kohës që ishte në takim me Lavrovin. Ai e dënoi ashpër këtë hap.
Të martën (02.02) një trup gjykues në Moskë vendosi që dënimin me kusht për Navalyn nga viti 2014 ta kthejë në dënim me burgim mbi 2 vjet. Të premten (04.02) Navalny sërish doli para gjyqit për një tjetër proces: 44 vjeçarin e akuzojnë, për shpifje ndaj një veterani të luftës. Opozitarin edhe në këtë rast e kërcënon një dënim me disa vjet burgim.