Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka mirëpritur letrën që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, i ka dërguar Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përmes së cilës ka kërkuar njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Shefja e diplomacisë kosovare e vlerëson këtë si një arritje në pozicionin e palëkundur të Kosovës për përmbylljen e dialogut final me Serbinë me njohje të pakushte të pavarësisë së Kosovës, duke respektuar parimet e pandryshueshme për karakterin unitar, integritetin territorial dhe rendin kushtetues.
“Si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kam kërkuar në vazhdimësi rol aktiv e përcaktues të SHBA-ve në dialogun final me Serbinë. Vetëm me përfshirjen e SHBA-ve, me qëndrimin e tyre të palëkundur se duhet të ketë njohje reciproke, mund të arrihet marrëveshja finale e cila do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë“, ka thënë Ministrja Haradinaj-Stublla, duke vënë në pah rëndësinë e prezencës amerikane dhe rolin e saj aktiv të dëshmuar në të gjitha proceset e rëndësishme për Kosovën. Pa rolin aktiv dhe përcaktues të SHBA-ve si aktor kryesor dhe administratën e Presidentit Biden do të jetë vështirë të paramendohet një marrëveshje e qëndrueshme që garanton njohjen reciproke mes dy shteteve”, ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla.