Një front i ftohtë ka përfshirë pjesën veriore të Europës duke ”mbuluar” Holandën dhe një pjesë të Gjermanisë me dëborë, çka ka bllokuar trafikun hekurudhor, ajror dhe rrugor dhe ka sjellë vështirësi të mëdha në transport.
Në anën tjetër të Detit të Veriut, Britania e Madhe është përfshirë gjithashtu nga reshjet e mëdha të borës, si pasojë e stuhisë “Darcy” nga meteorologët holandezë, erërat e së cilës arritën 90 kilometra në orë.
Agjencia meteorologjike holandeze KNMI vendosi një alarm të rrallë “kodi i kuq” në të gjithë vendin, goditur nga stuhia e parë e dëborës në më shumë se 10 vjet.
“Kjo është stuhia e parë e dëborës në Holandë që prej shumë kohësh. E fundit (…) është regjistruar në janar 2010”, sipas faqes së internetit për parashikimet meteorologjike Weer.nl.
Qeveria holandeze ka mbyllur për disa ditë të gjitha qendrat e depistimit të koronavirusit për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit, ndërkohë që vendi pritet të kalojë 10 ditë temperatura negative.
Dhjetëra fluturime janë anuluar apo vonuar në aeroportin e Schiphol të Amsterdamit, ndërkohë që ai i Eindhoven (jug) u mbyll. Të gjitha linjat e trenit janë mbyllur në vend duke përfshirë dhe ato me destinacion Gjermaninë.
Tramet janë ndërprerë në kryeqytetin e Amsterdamit dhe një tram ka dalë nga rruga për shkak të dëborës në Hagë, theksoi një gazetar.
Pjesa më e madhe e Holandës është mbuluar nga 5-10 centimetra dëborë, sipas stacionit televiziv publik NOS.
Më shumë se 80 vetura kanë dalë nga rruga pas rrëshqitjeve në dëborë, sipas autoritetit holandez të infrastrukturave, që këshillon drejtuesit e automjeteve të shmangin lëvizjet.
Të gjitha ndjeshjet e futbollit të Ligës së parë holandeze janë parashikuar të anulohen sidhe një ndeshje e Bundesligas gjermane.
Në Gjermani, reshjet e dëborës kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha në qarkullimin e trenave në Rhenanie të Westphalie Veriore, rajoni më i populluar në vend, si dhe trafikun hekurudhor me nisje nga Hamburgu.
“Dëbora, me një trashësi deri në 30 centimetra ka shkaktuar gjithashty ndërprerje të mëdha në trafikun rrugor të vendit. 222 aksidente janë numëruar që nga e shtuna pasdite”, theksoi një zëdhënës i policisë.
Një pjesë e autostradës në Rhenanie të Westphalie Veriore u mbyll pasi u kthye në një shesh patinazhi gjigant.
Deri në 40 centimetra dëborë pritej në pjesë të Gjermanisë veriore gjatë natës nga e diela në të hënë, sipas shërbimit të motit DWD.
Belgjika, vend fqinj i Holandës, ishte mbuluar nga një shtresë bore e lehtë por pritet që një rënie e ndjeshme e temperaturave të përfshijë vendin javën e ardhshme.
Në Britaninë e Madhe, autoritetet kanë lëshuar një alarm portokalli për motin në juglindje të Anglisë, për shkak të rrugëve të bllokuara nga dëbora dhe ndërprerjeve të pritshme të transportit rrugor, hekurudhor dhe ajror.