Megjithëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i bëri thirrje Serbisë për njohje të ndërsjellë me Kosovën, Bashkimi Evropian beson se vetëm Prishtina dhe Beogradi mund ta arrijnë kompromisin e nevojshëm.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se qëllimi kryesor i dialogut është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ndërsa nuk ka përmendur njohjen reciproke, shkruan Gazeta Express.
Stano refuzoi ta komentojë drejtpërdrejt letrën që Biden ia dërgoi Vuçiqit, në të cilën ai theksoi se njohja e ndërsjellë është e vetmja mundësi e përmbylljes së dialogut.
“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ndihmon BE-në. Dialogu e çon Serbinë dhe Kosovën drejt të ardhmes evropiane. Në fund, Beogradi dhe Prishtina do ta gjejnë kompromisin e nevojshëm. Qëllimi përfundimtar i këtij dialogu është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano.
Të premten, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, vendosi t’ia shkruante një letër urimi presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, me rastin e 15 shkurtit, ditës së shtetësisë së Serbisë. Kjo letër që mbërriti dje në Presidencën serbe, ndonëse kishte brenda urime të përzemërta të presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë, përmbante edhe një fjali, e cila ia prishi ditën kreut të Serbisë.
Në një mënyrë aspak të zakontë në diplomaci, me anë të një letre urimi, që ishte e para e tij si president, drejtuar Serbisë, Joe Biden i kërkoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.