Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi prezantoi sot në Elbasan programin për arsimin.
Në fjalën e saj, Kryemadhi tha se “unë ndihem kaq mirë që analiza profesionale e themelit të programit tonë politik, për Shqipërinë e pas 25 Prillit, po mbahet sot në Elbasan, në një qytet që kaq shumë e do arsimin dhe kulturën. E kam ndjerë këtë në çdo komunikim timin me qytetarët në Elbasan, të çdo moshe, nga qendra e qytetit deri në skajin më të largët”.
“Arsimi është në themel të programit dhe vizionit të LSI-së, pasi kushdo që mendon për të ardhmen, duhet të mendojë edhe për arsimin e të rinjve tanë. Një arsim cilësor, jo me fjalë, por ku në thelb të programit tonë ne kemi 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një arsim cilësor, ku ne kemi vendosur taksën e të ardhmes, ku taksohen me 1% të fitimit të tyre të gjitha kompanitë e mëdha, duke qenë edhe vetë ato përfituese me burime njerëzore, të cilët do të jenë të aftë për tregun e punës dhe në konkurrencë. Për një arsim cilësor, jo me fjalë, por me rritje dyfish të pagave për mësuesit, që për ne është shumë e rëndësishme që mësuesit të jenë edukatorë të brezit të ri dhe jo mercenarë politik”, sqaroi Kryemadhi.
“Për arsim cilësor, ku Ligji për Arsimin e Lartë do të shqyrtohet në bashkëpunim të ngushtë me vetë stafin akademik dhe studentët. Do të jenë ata që do ta hartojnë, do të jenë ata që do të krijojnë mundësinë për të pasur një universitet jo vetëm autonom, por edhe të pavarur politikisht, si dhe të ketë mundësinë e një pavarësie ekonomike, për të krijuar një universitet cilësor dhe konkurrent”, thekson ajo
“Një arsim cilësor, me kurrikula të lidhura me ekonominë e vendit. Një arsim cilësor, që shpenzimet e studentëve, të cilat ne synojmë t’i përgjysmojmë, të jenë të përballueshme jo vetëm për studentët shqiptar, por edhe për familjet e tyre. Arsim cilësor për LSI do të thotë punësim që në bankat e shkollës. Programi “Mëso dhe fito” i cili është një nga programet më të përkrahura sot nga rinia shqiptare. Do të thotë punë të garantuar, paga dinjitoze, taksa të ulëta. Arsimi cilësor përmirëson pjesëmarrjen në politikë dhe krijon hapësira politike për të rinjtë tanë, gjë që është e domosdoshme për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit politik në Shqipëri, pas 30 viteve”, shton Kryetarja e LSI.
“Arsimi cilësor sjell ekonomi të hapur, konkurrencë të ndershme, mundësi punësimi për të gjithë. Arsim cilësor do të thotë zhvillim bashkëkohor të bujqësisë, të industri agro përpunimit. Do të thotë shërbim shëndetësor të zhvilluar dhe jo emigrim të mjekëve e infermierëve në Gjermani. Pra arsim cilësor do të thotë familje e re e lumtur, për të cilën ne e kemi të domosdoshme sot. Arsim cilësor do të thotë fuqizim i gruas në shoqërinë tonë. Arsim cilësor do të thotë një Shqipëri dinjitoze, me integritet dhe një Shqipëri europiane për të cilën ne aspirojmë. Për ne arsimi cilësor do të thotë të kesh besim tek të rinjtë dhe të rejat”, nënvizon Kryemadhi./ATSH/