Ende nuk është caktuar ndonjë takim për sot në mes të liderit të LV-së, Albin Kurtit dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, kanë njoftuar nga dy partitë.
Zhvillimet e ditës së djeshme, në takimin e tretë radhazi që mbajtën dy partitë nuk sollën progres në negociata.
Dje LDK-ja ka propozuar në tavolinë të diskutimit edhe ofertën e fundit që sipas tyre mund të zhbllokojë procesin e mbetur pezull.
Merret vesh se nga partia e Isa Mustafës janë kthyer në kushtet e para që kishin vënë për bashkëpunim, derisa, kanë kërkuar që të dakordohen edhe për kryeparlamentarin, pozitë në të cilën është emëruar Glauk Konjufca, njeriu i dytë më i votuar në LV.
Megjithatë, ky informacion nuk është pohuar e as mohuar nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri që dje foli për marrëveshjen në emisionin Rubikon.
Në anën tjetër, nga LV-ja, vetë kreu i partisë, Albin Kurti ka thënë edhe publikisht se nuk do të negociojnë më tutje me pozitën e kryeparlamentarit pasi që ky post vetëm se i takon atyre.
Partia e Kurtit mund të ketë propozuar gjashtë ministri për LDK-në, derisa kjo ofertë nuk është pranuar deri më tani nga Isa Mustafa dhe vartësit e tij, që ishin të pranishëm në takim.
Se janë për të vazhduar me numër të barabartë të ministrive e tha dje edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
“Programi qeverisës është harmonizuar dhe nuk ka nevojë të rikthehet. Edhe struktura është e përfunduar. Është spekulative çështja e rritjes së numrit të ministrive. Parimisht është ndarje e qeverisë ku ne si LDK kemi thënë që kryeministri i takon atij që del fitues në zgjedhje. Kurti ka propozuar që të ketë dy zëvendësministra dhe ne jemi pajtuar, 5-5 janë ministritë. Ne në asnjë takim nuk e kemi kërkuar që të kemi më shumë se 5 ministri”, ka thënë pas takimit Haziri.
Megjithatë, dy partitë nuk po flasin publikisht për ofertat që janë vënë në diskutim, ndërsa, nuk dihet kur Kurti do të dërgojë emrin për mandatarin te presidenti Hashim Thaci do t’i linte kohë dy partive vetëm 15 ditë për të vendosur përfundimisht.