Feja dhe politika, feja apo kombi, e pyetje të tjera të ngjashme vazhdimisht përdoren në diskursin e debateve në Kosovë.
Në Kosovë subjektet kryesore politike në Kosovë kanë ideologji që nuk lidhen me fetë.
Por megjithatë sipas analistëve subjektet kryesore politike kanë pasur satelitët e tyre me bazë ideologjike fetare.
Konspiracionisti Arianit Sllamniku në emisioni Komplot në RTV Dukagjini thotë se PDK gjithmonë ka kokëtuar me Partinë e Drejtësisë që ka bazë islamike apo LDK me satelitin e saj që ka bazë në kristianizëm, PSHDK.
“Në Kosovë kemi një paradoks të çuditshëm ku subjekte e mëdha kanë ndërtuar satelitët e tyre fetarë. Subjektet e vogla kanë ideologji konservative fetare dhe kanë synuar elektoratin përmes fesë. Partia e Drejtësisë ishte një satelitë i PDK-së me elemente të SHIK-ut. Nga ana tjetër Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) i ka shërbyer vazhdimisht LDK-së”.
Sllamniku thotë se Kosovës do t’i shërbente një subjekt i politik ku do të bashkoheshin të gjithë liderët konservatorë nga besimi islam.
Mirëpo teologu Mustafë Bajrami thotë se është provuar unifikimi i ish eksponentëve të PD-së por ka qenë e pamundur.
“Para disa viteve një ish-drejtues i PD-së më ka kërkuar mua për shkak të ndikimit që kam, që të unifikojë spektrin konservatorë në Kosovë. Unë u mundova për gjashtë muaj rresht t’i kontaktojë ish-drejtuesit e PD-së për ta bërë një grupim politik konservator, por nga ajo që kam dëgjuar kam ardhur në konkludim se bashkimi i këtij spektri, apo krijimi i një partie të fuqishme që do t’i kontribuonte spektrit të përgjithshëm politik të Kosovës është i pamundur”, ka deklaruar Bajrami. Teologu megjithatë thotë se mund të ndodh në të ardhmen me ndonjë platformë tjetër.