Macron ka emëruar Gabriel Attalin, ish-ministrin e Arsimit, si kryeministër të ri të Francës. Macroni po imponon një fillim të ri, por vëzhguesit politikë dyshojnë se ai do të ketë sukses.
Presidenti Emmanuel Macron ka emëruar Gabriel Attal-in, ish-ministrin e Arsimit, si kryeministër të ri të Francës njoftoi të martën Pallati Elysee.
34 vjeçari Attal bëhet kryeministri më i ri në historinë e Francës. Ai konsiderohet një njeri i besuar i Macronit. Attali, i cili është hapur homoseksual, pason kryetaren e qeverisë, Elisabeth Borne (62 vjeç), e cila dha dorëheqjen të hënën.
Ndryshimi i personelit konsiderohet si një lëvizje e Macronit, i cili dëshiron t’i japë vrull qeverisë pak muaj para zgjedhjeve evropiane në qershor. Në sondazhe, partia e Macronit “Renaissance” qëndron qartë pas lëvizjes “Rassemblement National” të udhëhequr nga kryetarja e opozitës së ekstremit të djathtë Marine LePen.
Attali, i konsideruar si një komunikues i mirë, bëri emër si zëdhënës i qeverisë gjatë pandemisë. Pas emërimit të tij si ministër i Arsimit, ai ndaloi veshjen myslimane Abaya në shkollat publike të Francës. Ndalimi i veshjeve të gjata orientale i solli Attalit duartrokitjet e konservatorëve.
Dorëheqja e kryeministres u njoftua me një X
Dorëheqjen e kryetares së qeverisë së tij Macroni e njoftoi në mënyrën më të përmbledhur që mund të përfytyrohet: me një postim në X, Twitter-in e vjetër. Një fotografi e të dyve duke qëndruar me krahët e kryqëzuar, por duke i buzëqeshur me dashamirësi njëri-tjetrit. Më poshtë, disa rreshta mirënjohjeje të sinqertë.
Ai tani nuk pret ndryshime të mëdha, pavarësisht nga qeveria e re, i tha kreu i grupit opozitar Les Ecologistes, Cyril Chatlin, radiostacionit France Info: “Presidenti (do të) mbështetet tek të besuarit e tij më të ngushtë. Në një farë mënyre, ai kërkon vazhdimësinë për vete”, thotë Vhatlin.
Sipas tij, Franca do të ketë të njëjtën politikë për muajt në vijim. “Ajo që na duhet është një kryeministër që nuk ia detyron ekzistencën e tij politike presidentit dhe që mund të vendosë piketa të forta. Nuk e kuptoj se si do të ishte e mundur kjo me Emmanuel Macronin.”
“Ndjenja e mbetjes në vend”
Në fakt duket se Borne nuk u largua me dëshirën e saj. “Tani që unë dhe qeveria ime duhet të japim dorëheqjen, dua t’ju them me çfarë pasioni e realizova këtë mision”, shkruante ajo në letrën e dorëheqjes. Ajo, e cila që në fillim e kishte theksuar dëshirën për t’i shërbyer kombit.
Politikisht, ajo i shërbeu kryesisht presidentit, duke shtyrë përpara gjithçka që ishte e pakëndshme për të. Pavarësisht, përshtypja e ngecjes në vend ishte shumë e fortë në fund, thotë politologu Bruno Cotress: “Problemi i Macron-it është se ai u premtoi njerëzve një lloj fillimi të ri, një ritëm të ri për mandatin e tij të dytë”.
Në të njëjtën kohë, Macroni deri tani e ka mbajtur gjithmonë pjesën më të madhe të ekipit qeveritar. “Pra, nëse Macroni vërtet dëshiron të japë përshtypjen se dëshiron të riorientojë rrënjësisht politikën e tij, të përcaktojë objektiva më të qarta, kjo kërkon gjithashtu një kryeministër të ri”.
Qeverisja me vështirësi
Për Macronin dhe qeverinë, viti i kaluar ishte politikisht i vështirë. Së pari reforma jopopullore e pensioneve dhe së fundmi zhurma për ligjin e imigracionit. “Madame 49.3”, kjo është ajo si e kanë quajtur shumë Elisabeth Borne. Kur ishte në krye të qeverisë, asaj iu desh të përdorte 23 herë nenin shumë të diskutueshëm 49.3 të Kushtetutës. Kjo lejon, në kushte të caktuara, ligjet të kalojnë në Parlament pa votim.
“Ndoshta një kryetar i ri i qeverisë mund të përpiqet të negociojë kompromise ndryshe, të menaxhojë ndryshe grupet e ndryshme politike në Parlament, për të garantuar një stabilitet më të madh. Asgjë nuk do të ishte më keq se të zëvendësonte Borne tani. Dhe pas disa muajsh, ne do të qeverisim përsëri vetëm nëpërmjet nenit 49.3 dhe nuk do të ketë shumicë të qëndrueshme”, thotë Cotress.
Problemi: mungesa e shumicës
Ish-ministrit i Arsimit Gabriel Attal ka përvojë në poste të ndryshme qeveritare. Por problemi themelor mbetet se atij i mungon shumica absolute në Parlament, pa të cilën projektet politike janë të vështira për t’u zbatuar.
Suksesi i pjesës së mbetur të mandatit të Macronit do të varet nga aftësia e kryeministrit të ri për të organizuar këtë shumicë.