Harry Kane u zyrtarizua sot si lojtari më i ri i Bayern Munchen. Me numrin 9 në fanellë, anglezi do të provojë të shkëlqejë në kampionatin gjerman, pasi me Tottenham arriti të bëhej golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Premier League.
Edhe pse lëvizjet e lojtarëve anglezë jashtë ishullit – veçanërisht në Gjermani – janë të rralla, para tij disa anglezë të tjerë ia kanë dalë më së miri të shkëlqejnë aty.
Kevin Keegan: 90 ndeshje, 32 gola. Skuadra: Hamburg (1977 – 1980). Trofetë: Bundesliga (1978/79), Topi i Artë (1978, 1979)
Kevin Keegan: Hamburgu realizoi një goditje fantastike, madje të pabesueshme për kohën, kur firmosi me sulmuesin në vitin 1977. Keegan largohej nga ishulli pasi kishte fituar tri herë kampionatin anglez, një Kupë, 2 Kupa UEFA dhe Kupën e Kampionëve, gjatë 6 sezoneve me Liverpool.
Në fillim të dy palët patën vështirësi për t’u përshtatur. Por kapiteni i Anglisë shpërtheu në pjesën e dytë të sezonit të parë, ku edhe pse Hamburg u rendit vetëm në vend të dhjetë në kampionat, ai arriti të fitonte Topin e Artë.
Një sezon më pas, gjërat kishin ndryshuar totalisht. Hamburg fitoi për herë të katërt në histori titullin kampion, ndërsa Keegan fitoi sërish Topin e Artë. Në sezonin e tretë dhe të fundit, Keegan i shkoi shumë pranë fitores së Kupës së Kampionëve, por Hamburg u mund të finale nga Nottingham Forrest.
Owen Hargreaves: 145 ndeshje, 5 gola. Skuadra: Bayern Munchen. Trofetë: Bundesliga (2000/01, 2002/03, 2004/05, 2005/06), Kupa e Gjermanisë (2003/03, 2004/05, 2005/06), Champions League (2000/01)
Britaniku me më shumë trofe të fituar në Gjermani, Hargreaves nisi karrierën e tij te Bayern që në moshën 16-vjeçare. Në sezonin debutues me ekipin e parë fitoi kampionatin dhe Champions League, për të siguruar një vend në formacion në vitet në vijim. Pas një dëmtimi në vitin 2006 nuk e rifitoi kurrë formën dhe pasi luajti për Manchester United dhe City, dëmtimet kronike e detyruan të linte futbollin në vitin 2012.
Jadon Sancho: 104 ndeshje, 38 gola. Skuadra: Borussia Dortmund (2017 – 2021). Trofetë: Kupa e Gjermanisë (2020/21)
Pasi u mërzit nga ecuria jo e mirë te akademia e Manchester City-t, Sancho u transferua në Dortmund kur ishte vetëm 17 vjeç, në vitin 2017. Në sezonin e parë shënoi 1 gol në 12 ndeshje në Bundesliga, ndërsa në të dytin e mbylli me 12 gola dhe po aq asist. Para se sezoni të ndërpritej për shkak të Covid, në 2019/20 ai shënoi 14 gola në 15 ndeshje, duke treguar vlerën e tij të vërtetë. Në vitin 2021 u rikthye në ishull, te Manchester United, ku deri tani ka shënuar vetëm 9 gola në 55 takime.
Reece Oxford: 81 ndeshje, 2 gola. Skuadra Borussia Mönchengladbach (2017 – 2018), Augsburg (2019 – vijon)
Fillimisht Oxford shkeli tokën gjermane i huazuar nga West Ham në vitin 2017 dhe e tregoi vetën shpejt, duke luajtur në disa pozicione, si qendërmbrojtës, në krah të djathtë apo edhe në qendër të mesfushës. Tek Augsburg gjithashtu 23-vjeçari po tregon një formë mjaft të mirë, në qendër të mbrojtjes.
Jude Bellingham: 68 ndeshje, 4 gola. Skuadra: Borussia Dortmund (2020 – 2023). Trofetë: Kupa e Gjermanisë (2020/21)
Ka debutuar si profesionist vetëm 16 vjeç, ndërsa një vit më vonë ishte titullar te Dortmund, për të fituar një vend në kombëtaren angleze kur ishte ende 18 vjeç. Një mesfushor luftarak dhe i shpejtë, Bellingham mund t’i bëjë të gjitha në fushë, duke ndihmuar shpesh me gola dhe asist. Jo më kot, Real Madrid pagoi këtë verë 134 milionë euro për ta pasur në radhët e veta.