Komentet e Emmanuel Macron në lidhje me Tajvanin dhe thirrjen e tij për “autonomi strategjike” europiane ndezën polemika pasi ai mbrojti idenë që BE-ja të mos bëhej ndjekëse e SHBA-së dhe Kinës. Komentet u publikuan pasi Macron vizitoi Kinën javën e kaluar, ku u takua me presidentin Xi Jinping.
Për disa, vërejtjet e tij mund të thyejnë unitetin europian dhe solidaritetin transatlantik, por jo të gjithë vëzhguesit denoncojnë autonominë strategjike të mbrojtur nga Parisi.
Presidenti Macron ka disa vite që ka theksuar vazhdimisht pikëpamjen e tij se Europa duhet të zhvillojë atë që ai e quan autonomi strategjike dhe ekspertët nuk e shohin aspak këtë si një kërcënim për unitetin transatlantik.
Ata thonë se do të ishte gjithashtu në interesin më të mirë të SHBA-së për të mbrojtur një strategji europiane. Analistët mendojnë gjithashtu se ka shumë njerëz në SHBA që do të mbështesin idenë se Europa duhet të bëjë më shumë për të qenë një aktor strategjik më vete dhe se Europa duhet të përshpejtohet për të bërë më shumë, veçanërisht në dritën e kërcënimeve si në afërsi ashtu edhe globalisht.
Disa kanë kritikuar kohën e komenteve, pasi sapo Macron u largua nga Kina, Pekini nisi stërvitjet ushtarake duke rrethuar Tajvanin.
Për disa analistë ideja e një rruge të tretë europiane duket e ndërlikuar sepse siguria e BE-së aktualisht varet nga Shtetet e Bashkuara dhe është më mirë të ndjekim SHBA-në për aq sa është në interesin europian. Sipas tyre vlerat dhe interesat europiane nuk janë të njëjta me SHBA-në, por janë më afër SHBA-së sesa Kinës.