A është ndryshimi klimatik shkaktari i përmbytjeve në Gjermani?

albnews
By
7 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Një rritje prej 1 shkallë celsius në temperaturë, e rrit aftësinë e ajrit për ta mbajtur lagështinë për 7 për qind. Rritja e temperaturave globale po sjell avullim më të shpejtë të ujit në tokë dhe në det, duke shkaktuar më pas reshje të pazakonta shiu dhe stuhi më të mëdha

Përmbytjet e mëdha e kanë shkatërruar pjesën e Evropës Qendrore, duke marrë qindra jetë. Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës kishte gisht në të.

Të paktën 180 njerëz u raportuan të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur të premten në Gjermani, Belgjikë, Zvicër dhe Holandë, pasi stuhitë e mëdha dhe reshjet e shiut shkaktuan daljen e lumenjve nga shtrati dhe përmbytjet i kthyen rrugët në përrenj të furishëm, duke bartur makinat dhe duke shkatërruar ndërtesat.

Tashmë për disa javë Gjermania ka pasur mot me temperatura të larta dhe thatësi, që më pas kanë sjellë episodet e reshjeve të mëdha.

Të mërkurën dhe të enjten ky fenomen u shënua nga përmbytja katastrofike në shumë rajone në të gjithë Gjermaninë Perëndimore dhe në vendet fqinje. Ekspertët thonë se moti i tillë ekstrem dikur ndodhte rrallë, por mund të ndodhë më shpesh në të ardhmen – dhe me më shumë intensitet – shenjë kjo që ndryshimi i klimës po ndikon në jetën tonë.

A është normal moti në Gjermani?

“Zakonisht mot i tillë është vetëm gjatë dimrit”, ka thënë për transmetuesin publik WDR, Bernd Mehlig, zyrtar i mjedisit nga shteti gjerman perëndimor i Nordrhein-Westfalen (NRW) – rajoni më i goditur nga reshjet. “Diçka e tillë, me këtë intensitet, është plotësisht e pazakontë gjatë verës”.

Duke folur për WDR-në të enjten, një zëdhënës i ekipit të krizës së qytetit Hagen parashikoi që uji do të arrijë nivele që nuk janë parë më shumë se katër herë në shekull, ku pjesë të qytetit do të jenë të paarritshme dhe të izoluara për shkak të ujit të madh.

“Ky është normaliteti i ri”, ka thënë Johannes Quaas, meteorolog në Universitetin e Leipzigut në Gjermaninë Lindore. “Ndryshimi i klimës po e ndryshon edhe përkufizimin e motit normal. Po i afrohemi ngadalë një normaliteti të ri, ku përfshihen modele të ndryshme të reshjeve të shiut”.

A i ka përkeqësuar përmbytjet ndryshimi klimatik?

Rritja e temperaturave ua shton intensitetin ngjarjeve ekstreme të motit. Kur nxehet, ajri përmban më shumë lagështi, një fenomen që shkencëtarët e zbuluan në shekullin e 19-të. Një rritje prej 1 shkallë celsius në temperaturë e rrit aftësinë e ajrit për ta mbajtur lagështirën për 7 për qind. Rritja e temperaturave globale po sjell avullim më të shpejtë të ujit në tokë dhe në det, duke shkaktuar më pas reshje të pazakonta shiu dhe stuhi më të mëdha.

“Reshjet e shiut që kanë qenë në të gjithë Evropën gjatë ditëve të fundit janë mot ekstrem, intensiteti i të cilit po merr forcë nga ndryshimi klimatik dhe do të vazhdojë të forcohet më tej me më shumë ngrohje”, ka thënë tha Friederike Otto nga Instituti i Ndryshimit të Mjedisit në Universitetin e Oxfordit. Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Gjermanisë (DWD) ka thënë se reshjet e shiut janë intensifikuar, përderisa temperaturat janë rritur. Por ka paralajmëruar që rritja ishte më e forta gjatë dimrit dhe “pamja është ende e paqartë për muajt e verës”, kur zakonisht vijnë stuhi të mëdha.

Një studim për reshjet ekstreme të verës së 2013-s, që kishte sjellë përmbytje të mëdha në lumenjtë Danub dhe Elba, nuk kishte zbuluar që ndryshimi i klimës kishte pasur ndikim në to. DWD-ja ka thënë se nuk mund të përgjigjet nëse ndryshimi i klimës i kishte bërë përmbytjet aktuale të verës më të forta pa bërë një studim të tillë. Dy javë para përmbytjes, hulumtimi i bërë nga një grup shkencëtarësh në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se ngrohja globale do t’i rrisë gjasat e stuhive intensive të shiut në të gjithë Evropën. Studimi sugjeron që, për shkak të diferencës së zvogëluar të temperaturave midis poleve dhe zonave tropikale, stuhitë lëvizin më ngadalë sesa gjatë verave të kaluara. Kjo mund të sjellë reshje të mëdha shiu në një zonë të veçantë dhe gjithashtu mund ta rrisë rrezikun e përmbytjeve të shpejta.

Image

Sipas studimit, dikur një ngjarje e pazakontë e motit për Evropën, stuhitë me lëvizje të ngadaltë mund të ndodhin 14 herë më shpesh në të gjithë kontinentin deri në fund të shekullit.

“Si një vend industrial, Gjermania po nxehet dy herë më shpejt sesa shkalla e ngrohjes globale”, ka thënë Quass. “Kjo do të thotë që mundësitë për reshje të mëdha janë 20 për qind më të larta krahasuar me shekullin e 19-të dhe 10 për qind më të larta sesa rreth para katër dekadash”.

Kur toka dhe sistemet e kullimit nuk mund ta thithin ujin shpejt, ose faktorët si zhvillimi urban parandalojnë shpërndarjen e reshjeve, rrjedhja sipërfaqësore mund të zhvillohet në përmbytje të rrëmbyeshme dhe të shkaktojë dëme të konsiderueshme.

“Parashikimi i motit ekstrem nuk është i vështirë, por është ende pothuajse e pamundur të parashikohet me saktësi se ku saktësisht një stuhi do të sjellë sasi të mëdha shiu dhe cilat zona do të goditen më shumë”, ka thënë Quass, duke shtuar se kjo e bën të vështirë që qytetet të përgatiten për katastrofë dhe të zvogëlohen dëmet.

Për më tepër, me shkatërrimin e disa bimëve dhe pengesave të tjera tokësore, si rezultat i ndryshimit të temperaturës dhe motit, shumë zona natyrore të përmbytjeve janë zhdukur.

“Për aq kohë sa vazhdojmë të emetojmë dyoksid karboni, ekziston mundësia të vazhdojmë të shohim reshje të tilla të mëdha”, ka thënë Quass.

Share This Article