Ushtria ukrainase vazhdon të mbrojë Bakhmutin, një qytet në lindje që është nën sulme brutale prej muajsh, pavarësisht se situata në qytet nuk është përmirësuar ende.
Ndërkohë, trupat ruse janë tani në ofensivë pranë Avdiivka, ku shpresojnë të kapin një zonë të fortifikuar në veri të Donetskut, transmeton Telegrafi.
Ushtria ruse po përparon gjithashtu drejt Kreminës, në veri të Bahmutit. Megjithatë, shenjat e para të fillimit të kundërofensivës ukrainase kanë filluar të shfaqen, gjykuar nga provat e raportuara në rajonet e Donbasit dhe Zaporizhzhia, shkruan portali i pavarur Meduza.
Bakhmut
Komanda ukrainase zhvendosi resurse të konsiderueshme në zonën e Bakhmutit. Disa batalione të freskëta të përqendruara në një vend specifik, pengojnë mercenarët e grupit të Wagner të rrethojnë plotësisht qytetin.
Deri më tani, mbrojtësit ukrainas kanë penguar me sukses trupat ruse të marrin kontrollin e rrugës që çon në perëndim nga Bakhmut përmes Hromovo, e cila shërben si linja kryesore e furnizimit të Ukrainës.
Formacionet e grupit mercenar rus Wagner sulmojnë rrugën e daljes jugperëndimore nga qyteti, tani kryesisht e papërdorshme për ushtrinë ukrainase.
Ukrainasit sulmojnë njësitë ruse të vendosura përgjatë rrugës. Në afërsi të Ivanivska, kjo rezultoi me tërheqjen e grupit të Wagner nga pozicionet përpara.
Forcave ukrainase nuk po i ecë edhe aq mirë në Bakhmut dhe gjetkë në periferi të tij. Mercenarët rusë depërtojnë si në veri ashtu edhe në jug të qendrës së qytetit. Pjesa më e madhe e zonës industriale në veri të qytetit (duke përfshirë fabrikën metalurgjike atje) u pushtua. Në jug të Bakhmutit, formacionet e Wagnerit arritën deri në rrugën Mariupol, përtej së cilës do të ishin në qendër të qytetit.
Wagnerët bënë përparimin më të madh në periferitë veriore të Bakhmutit. Duke përparuar përgjatë hekurudhës Bahmut-Chasiv Yar, ata arritën në Bohdanivka dhe Orikhovo-Vasilivka, ku tani po përfitojnë nga pozicionet e reja të ngritura.
Kjo përbën një kërcënim real, si për Bakhmutin, i cili është i rrethuar, ashtu edhe për trupat mercenare që i afrohen Chasiv Jarit nga verilindja.
Për më tepër, forcat e Prigozhinit po përparojnë përgjatë rrugës Bakhmut-Kramatorsk, ku tashmë kanë kapur fshatin e vogël Zaliznjanske, duke arritur gjithashtu në pozicione të ngritura.
Avdiivka
Ushtria ruse nisi një ofensivë në veri dhe jugperëndim të Avdiivka. Deri atëherë, qyteti dhe rrethinat e tij bombardoheshin çdo ditë për javë të tëra.
Burimet nga të dyja palët pranojnë përparim të rëndësishëm nga forcat pushtuese në veri të Avdiivka. Disa burime pohojnë se Krasnohorivka, për shembull, është kapur dhe se trupat ruse tani po lëvizin në perëndim nga ai vend.
Megjithatë, ende nuk ka asnjë provë vizuale se kjo është vërtet kështu. Sipas disa burimeve ruse, ushtria ruse është forcuar vetëm në Krasnohorivka, ndërsa betejat e rënda vazhdojnë me humbje të mëdha për palën ruse.
Forcat ruse definitivisht po pësojnë humbje të mëdha në jugperëndim të Avdiivka. Ofensiva ruse në këtë zonë krijon një krizë për komandën ukrainase.
Avdiivka tani është në gjysmë të rrugës për të përfunduar rrethimin. Nëse ukrainasit duhet të largohen përfundimisht nga qyteti, kjo do të çojë në shembjen e të gjithë frontit në veri të Donetskut.
Mbajtja e qytetit, nga ana tjetër, do të kërkonte mobilizimin e trupave rezervë që ushtria ukrainase shpreson t’i shpëtojë derisa të jetë gati të nisë një kundërofensivë në shkallë të gjerë. Përkundër kësaj, një pjesë e këtyre rezervave tashmë i është drejtuar Bakhmutit, shkruan Meduza.
Rajoni i Zaporizhzhia
Për herë të parë pas një kohe të gjatë, Ukraina po kryen një sulm të madh në rajonin e Zaporizhzhia. Në juglindje të Orihiv, një formacion ukrainas me përmasa të panjohura u përpoq të depërtonte në jug përgjatë rrugës për në Tokmak. Forcat ruse e zmbrapsën këtë sulm dhe forcat ukrainase humbën disa njësi me automjete të blinduara.
Ky mund të ketë qenë një mision zbulimi luftarak ose një manovër përçarëse, që synon të detyrojë Rusinë të përqendrojë më shumë rezervat e saj në këtë segment, duke hapur rrugën për një ofensivë të madhe diku tjetër.
Rusia ka frikë se Ukraina do të tentojë një ofensivë të madhe në verilindje
Sipas inteligjencës ushtarake britanike, që nga fillimi i këtij muaji ka pasur luftime të ashpra në veri të rajonit lindor të Ukrainës, Luhansk.
Betejat po zhvillohen rreth qyteteve Svatov dhe Kreminna, të cilat u kapën nga forcat ruse në fillim të pushtimit, sipas përditësimit të fundit nga Ministria Britanike e Mbrojtjes.
Në fillim të këtij viti, forcat ukrainase iu afruan pikëkalimeve të menjëhershme drejt Kreminës, por trupat ruse që atëherë kanë rifituar pjesërisht kontrollin. Moska po përpiqet kryesisht të mbrojë tokën e saj në verilindje, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.
Komandantët rusë kanë frikë se kjo është një nga zonat ku Ukraina mund të tentojë “operacione të mëdha sulmuese”, u tha gjithashtu nga inteligjenca britanike.