Imazhet e aeroplanit “Antonov AN-225” të shkatërruar tani janë një kujtim i pashlyeshëm për entuziastët e aviacionit në mbarë botën.
I ndërtuar në vitet 1980 për të transportuar anijen kozmike sovjetike, aeroplani “u ringjall” për herë të dytë pas Luftës së Ftohtë, si transportuesi më i madh i mallrave në botë, duke thyer rekorde të ndryshme, përpara se të shkatërrohej prej forcave ruse në fund të muajit shkurt, në fushën ajrore Hostomel, pranë Kievit.
“Ëndrra nuk do të vdesë kurrë”, shkroi në Twitter kompania Antonov, duke iu referuar pseudonimit të aeroplanit, “Mriya”, që do të thotë ëndërr në gjuhën ukrainase.
Por a mund të fluturojë sërish AN-225?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, kërkohet fillimisht të bëhet një vlerësim rreth dëmit që ka pësuar aeroplani.
Gazetari Vasco Cotovio i CNN-së ka parë nga afër rrënojat, kur vizitoi aeroportin Hostomel në fillim të muajit prill, së bashku me gazetarë të tjerë dhe Policinë Kombëtare të Ukrainës.
“Hostomel ishte skena e luftimeve intensive midis forcave ruse dhe ukrainase që nga fillimi i luftës”, thotë ai.
“Forcat e Moskës u përpoqën të kapnin aeroportin për ta shfrytëzuar atë në sjelljen e përforcimeve të reja. Për ta bërë këtë, ata kryen një sulm ajror me helikopterë sulmues. Ata dukej se kishin pasur një sukses fillestar, por përgjigja ukrainase ishte shumë e shpejtë, duke goditur aeroportin shpejt dhe fuqishëm – për të parandaluar çdo lloj uljeje”, thotë ai.
Gjendja e aeroplanit nuk dha shpresë për mundësinë e një riparimi, “Hunda e aeroplanit u shkatërrua plotësisht, me sa duket viktimë e një goditjeje të drejtpërdrejtë artilerie”.
“Përveç kësaj, ka pasur dëmtime të mëdha në krahë dhe në disa prej motorëve. Fundi i bishtit është kursyer nga goditjet e mëdha, por ka disa vrima të shkaktuara prej plumbave. Po të mos ishte goditja direkte në hundë, AN-225 mund të ishte i riparueshëm”, thotë ai, duke shtuar se zona përreth aeroplanit ishte e mbushur me municion të harxhuar, tanke dhe kamionë rusë të shkatërruar dhe automjete të blinduara të shkatërruara.
Një rilindje e dytë
Andrii Sovenko, një inxhinier dhe ekspert i aviacionit me bazë në Kiev, i cili ka punuar për kompaninë Antonov që nga viti 1987 dhe ka fluturuar me AN-225 si pjesë e ekuipazhit teknik të saj, ka përpiluar një listë të detajuar të dëmeve, duke parë një numër të madh të videove dhe fotografive të rrënojave (personeli i Antonov nuk lejohet ende të kthehet në Hostomel për shkak të shqetësimeve të sigurisë).
Ai konfirmon se pjesa qendrore e trupit të aeroplanit dhe hunda e saj – duke përfshirë kabinën dhe ndarjet e ekuipazhit – janë shkatërruar, por sistemet dhe pajisjet e bordit të aeroplanit kanë pësuar dëmtime më kritike.
“Rivendosja e tyre do të jetë më e vështirë”, thotë ai duke shtuar, “Kjo për faktin se shumica e sistemeve të ndryshme elektrike, pompave dhe filtrave të përdorur në AN-225 janë të gjitha nga vitet 1980”.
“Ato thjesht nuk po bëhen më, kështu që nuk ka gjasa që të mund të restaurohen saktësisht siç ishin”, thotë ai.
Nuk janë të gjitha lajmet e këqija: pjesë të krahëve, duke përfshirë sipërfaqet aerodinamike si pllakëzat, duket se kanë pësuar dëmtime të vogla dhe ato mund të shpëtohen.
Shumica e gjashtë motorëve gjithashtu duken të paprekur, dhe i gjithë pjesa e bishtit të aeroplanit është prekur vetëm nga dëmtimi i copëzave, duke e lënë atë në gjendje të pranueshme.
Sovenko, i cili shkroi një libër për historinë e “Antonov Airlines” duke detajuar përvojën e fluturimit në Mriya, pajtohet se aeroplani në Hostomel nuk mund të riparohet.
“Është e pamundur të flasim për riparimin ose restaurimin e këtij aeroplani – ne mund të flasim vetëm për ndërtimin e një tjetër Mriyas, ku mund të përdoren komponentët individualë që mund të shpëtohen nga rrënojat dhe duke i kombinuar me ato që ishin, në vitet 1980, të destinuara për ndërtimin e një aeroplani të dytë”.
Ai i referohet kornizës së dytë të aeroplanit AN-225 që Antonov ka ruajtur deri më sot në një punëtori të madhe në Kiev. Ishte pjesë e një plani origjinal për të ndërtuar edhe të një aeroplani AN-225, e cila gjë nuk u bë kurrë realitet.
“Ky është një aeroplan plotësisht i përfunduar, me një seksion të ri qendror të instaluar tashmë në të, si dhe strukturën mbajtëse të krahëve dhe njësinë e bishtit. Me sa di unë, ai ishte praktikisht i padëmtuar gjatë bombardimeve të uzinës”, thotë Sovenko.
Dizajni i ri
Ekziston një problem kryesor me idenë e ndërtimit të kornizës së papërdorur të aeroplanit me pjesë të shpëtuara nga Hostomel: ai ende nuk do të arrijë në 100 për qind të komponentëve të nevojshëm.
“Do të jetë e pamundur të ndërtohet saktësisht i njëjti aeroplan, me të njëjtin dizajn dhe pajisje”, thotë Sovenko. Nëse është kështu, Antonov përballet me dy pengesa: t’i bëjë komponentët e rinj dhe të vjetër të punojnë së bashku dhe potencialisht duhet të kalojë përmes procedurave të ricertifikimit të aeroplanit, për të konfirmuar aftësinë fluturuese.
Kompania ka përvojë me numrin e parë, pasi ka përditësuar shumë nga sistemet e AN-225 gjatë viteve dhe ka zëvendësuar teknologjinë e vjetër sovjetike me ekuivalentet moderne ukrainase, por një certifikim i plotë do të kërkonte kohë dhe do të rriste kostot.
Fatkeqësisht, kjo duket se është pothuajse e pashmangshme “Është e kotë të ndërtosh një aeroplan sot me një dizajn 40-vjeçar”, shton Sovenko. “Është gjithashtu mjaft e mundshme që do të konsiderohet e përshtatshme të bëhen ndryshime shtesë në dizajnin e aeroplanit, bazuar në përvojën operative të origjinalit.”
AN-225 nuk u projektua kurrë për të transportuar mallra komerciale dhe u përshtat për këtë punë nëpërmjet punës së gjerë të kryer nga Antonov në fund të viteve 1990.
Sidoqoftë, megjithë kapacitetin kolosal, aeroplani mbeti i papërshtatshëm për të operuar nga pikëpamja e ekuipazhit, transmeton Telegrafi.
Për shkak të dizajnit të tij unik, vetëm hunda e aeroplanit hapet dhe ai nuk ka një rampë në pjesën e pasme si vëllai i tij më praktik më i vogël, AN-124.
Dyshemeja e ngarkesave mund të përdorë gjithashtu disa përforcime dhe shkalla e përputhshmërisë së aeroplanit me infrastrukturën ekzistuese të aeroportit mund të rritet, duke i shtuar listës së përmirësimeve të dëshirueshme në një version hipotetik modern të aeroplanit.
Miliona apo miliarda?
Ndërtimi i një Myria të dytë nuk do të jetë i lirë, por është e vështirë të përcaktohet saktësisht se sa do të kushtonte. Ukrinform, agjencia kombëtare e lajmeve ukrainase, deklaroi se kostoja e operacionit do të arrinte shifrat e tre miliardë dollarëve.
Në vitin 2018, Antonov vlerësoi se përfundimi i kornizës së dytë të aeroplanit do të kushtonte deri në 350 milionë dollarë, megjithëse kjo shifër tanimë duhet të rishikohet.
“Asgjë nuk dihet me siguri për momentin,” thotë Sovenko, “Kostoja do të varet se sa janë dëmtuar rëndë pjesët e mbijetuara të aeroplanit, si dhe sa modifikime dhe pajisje të reja do të kërkohen. Një pjesë e madhe e kostove do të varet nga sasia e testimit të certifikimit që konsiderohet e nevojshme. Por në çdo rast, ne mund të hamendësojmë se shuma përfundimtare do të jetë në rendin e qindra miliona dollarëve dhe jo miliardave”.
Richard Aboulafia, një analist i aviacionit në Aerodynamic Advisory, pajtohet se “Varet nëse aeroplani do të ishte thjesht një prototip, apo nëse ata do të dëshironin që ai të hynte në shërbim komercial, me certifikim të plotë. Sigurisht, shifra prej 500 milionë dollarëve është më se e arsyeshme”.
Pyetja e vërtetë, thotë Aboulafia, është kush do ta paguajë për të?
Është e lehtë të mendosh se shumica e kostove do të përballoheshin nga Antonov, por kompania ka pësuar humbje të mëdha nëpërmjet shkatërrimit të disa aeroplanëve dhe objekteve të tjera; megjithëse është ende duke operuar në një nivel të reduktuar, e ardhmja e tij është e pasigurt.
“Unë jam optimist. Unë sinqerisht dhe thellësisht dëshiroj që aeroplani Antonov të vazhdojë të fluturojë në qiejt e së ardhmes”, thotë Sovenko, “por unë jam gjithashtu një realist. Dhe e kuptoj plotësisht se kostot e nevojshme për të ndërtuar një Mriya të re do të duhet të lidhet me mundësitë financiare të Antonovit, si dhe me të ardhurat e pritshme që mund të sjell ky aeroplan”.