ALB UK News

Menu
  • Home
  • Albania
  • Kosova
  • UK
  • Kina
  • Diaspora
  • Bota
  • Maqedonia
  • Sports
  • Show – Biz
    • Kulture
    • Technologji
    • Opinion
    • Shendetesi
    • Shqiperia
    • Popular
  • ALBUK.TV
  • Kontakto
    • Live TV & Studio Kontakt
    • Termat dhe Kushtet
    • Terms and Condition
  TRENDING
Gjendet e pajetë një studente nga Kosova në Tetovë, reagon ambasada  3 minutes ago
A mundet Moska që ta ndihmojë Maduron e Venezuelës? 5 minutes ago
Zjarr në shtëpinë e të moshuarve në Bosnje, 11 të vdekur dhe mbi 30 të lënduar  7 minutes ago
Përplasi trumën e njerëzve me makinë në Francë, mes të plagosurve zyrtare e partisë së Le Pen, autori dyshohet se ishte… 9 minutes ago
Erdogani quan “budallëk” progresraportin e BE-së për Turqinë: Nuk kemi synime për territore 11 minutes ago
Next
Prev
Home Bota

A mundet Moska që ta ndihmojë Maduron e Venezuelës?

albnews by albnews
6 November, 2025
in Bota
0
A mundet Moska që ta ndihmojë Maduron e Venezuelës?
  • Facebook
  • Share on X
  • LinkedIn
  • WhatsApp
  • Email
  • Copy Link

Mund të ndodhë sërish. Më 2019, Shtetet e Bashkuara mbështetën një udhëheqës opozitar që synonte ta rrëzonte Nicolas Maduron e Venezuelës. Rusia e kundërshtoi këtë përpjekje, duke ofruar ndihmë diplomatike dhe një dozë të vogël të mbështetjes ushtarake për një qeveri që mund të jetë partnerja më e rëndësishme e Moskës në Amerikën Latine.

Maduro i mbijetoi krizës kur thirrja e Juan Guaidos për kryengritje ushtarake dështoi si dhe përpjekja e tij për të marrë pushtetin nuk pati sukses – lehtësim i madh për Rusinë dhe një goditje për SHBA-në, që e konsideron Maduron udhëheqës të jashtëligjshëm. Gjatë mandatit të parë si president i SHBA-së, Donald Trump, e njohu Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës në janar të vitit 2019.

RelatedPosts

Përplasi trumën e njerëzve me makinë në Francë, mes të plagosurve zyrtare e partisë së Le Pen, autori dyshohet se ishte…

Erdogani quan “budallëk” progresraportin e BE-së për Turqinë: Nuk kemi synime për territore

Shtatë alpinistë italianë ende të zhdukur në Nepal

Përderisa rrethanat sot janë shumë të ndryshme, SHBA-ja sërish po rrit presionin ndaj Maduros.

Ajo ka dislokuar një prani të madhe ushtarake në Karaibe, ku tani po dërgon një aeroplanmbajtës – aeroplanmbajtësin USS Gerald R Ford, që gjerësisht njihet si luftanija më e madhe në botë – dhe ka kryer një sërë sulmesh ajrore ndaj anijeve që dyshon se po trafikojnë drogë, duke vrarë dhjetëra persona.

Zyrtarët amerikanë kanë përmendur një aktakuzë të vitit 2020 kundër Maduros për krime që lidhen me drogën, teksa sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka quajtur atë “të arratisur nga drejtësia amerikane”. Në gusht, SHBA-ja dyfishoi shpërblimin për këdo që jep informacione për kapjen e tij, duke bërë që shuma të arrijë në 50 milionë dollarë.

Në një intervistë të transmetuar në CBS më 2 nëntor, Trump e minimizoi shqetësimin se SHBA-ja do të hyjë në luftë me Venezuelën, por kur u pyet nëse ditët e Maduros ishin të numëruara, ai tha: “Mendoj se po”.

Raportohet se Maduro po kthehet sërish nga Rusia për mbështetje, por analistët thonë se nëse Uashingtoni bën përpjekje për ta rrëzuar atë, levat e Moskës për ta parandaluar një gjë të tillë janë të kufizuara.

“Thënë troç, Rusia nuk mund të bëjë shumë nëse SHBA-ja është e vendosur që të përpiqet ta rrëzojë Maduron, përtej lëvizjeve diplomatike”, tha Mark Galeotti, autor, analist për Rusinë dhe profesor nderi në Shkollën për Studime Sllave dhe të Evropës Lindore në Universitetin College të Londrës.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës “e përjashton dislokimin e trupave ruse në Venezuelë në rast të një ndërhyrjeje nga SHBA-ja”, tha Alexandra Sitenko, analiste politike me seli në Berlin. “Megjithatë, s’mund të përjashtohet mbështetja e kufizuar: Rusia mund të transferojë armë, sisteme të mbrojtjes ajrore ose të ofrojë ndihmë në fushën e inteligjencës”.

“Rusia nuk do të hyjë në luftë për Venezuelën”

Në një artikull të publikuar më 31 tetor, The Washington Post tha se dokumentet që kishte siguruar tregonin një letër që Maduro i kishte shkruar presidentit rus, Vladimir Putin, duke kërkuar nga Moska që të forcojë mbrojtjen ajrore të Venezuelës përmes dislokimit të avionëve luftarakë të blerë më parë, Sukhoi, duke ndihmuar në riparimin e motorëve dhe radarëve dhe blerjen e raketave si dhe duke ofruar mbështetje logjistike.

Sipas The Washington Post, letra do të duhej t’i dorëzohej Putinit nga ministri i Transportit i Venezuelës, i cili qëndroi në Moskë në mes të tetorit. Sipas kësaj media, Maduro po ashtu po kërkonte mbështetje edhe nga Kina dhe Irani.

Është e paqartë nëse letra është dërguar në Kremlin. As zyrtarët në Venezuelë, e as ata në Rusi, nuk kanë komentuar për këtë raportim dhe nuk kanë dhënë asnjë deklaratë publike lidhur me ndonjë mbështetje të re specifike ndaj Qeverisë së Maduros.

Megjithatë, një aeroplan i madh rus i transportit, i llojit Il-76, arriti në Karakas në fund të tetorit pasi bëri një udhëtim me disa ndalesa, sipas ueb-faqes që gjurmon fluturimet, FlightData24. Është e paqartë se çfarë po transportonte ky aeroplan.

Burimet ruse sugjeruan se mund të ketë dërguar sisteme të mbrojtjes ajrore, sikurse Pantsir-S1, tha Sitenko për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo do ishte në përputhje me vendimin e Moskës për ta ratifikuar me urgjencë një marrëveshje të re partneriteti me Venezuelën, që përfshin dispozita për bashkëpunim ushtarak-teknik për të forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe për të ofruar siguri për të dyja vendet”, tha ajo.

“Por, Rusia nuk do të hyjë në luftë për Venezuelën”, theksoi Sitenko.

“Gati për të reaguar”

Më 1 nëntor, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Moska dënon “përdorimin e forcës së tepërt ushtarake në kryerjen e veprimeve në operacionet kundër drogës” dhe “konfirmojmë mbështetjen tonë për udhëheqjen venezuelase në mbrojtjen e sovranitetit të saj kombëtar”.

Dy ditë më herët, Zakharova deklaroi se Rusia “është në kontakt me partnerët tanë” dhe “është gati për të vazhdojë të reagojë në mënyrë të duhur ndaj kërkesave të tyre, duke marrë parasysh kërcënimet ekzistuese dhe potenciale”.

Putin dhe Maduro përmbyllën marrëveshjen e partneritetit strategjik me Moskën në maj, dhe ajo hyri në fuqi kur Putin e nënshkroi ligjin e ratifikimit që u miratua me nguti në Parlament në fund të muajit të kaluar. Por, pakte të tilla janë një kornizë ligjore dhe kanë pak detaje specifike.

Ekspertët thonë se shumica e operacioneve ushtarake të Rusisë në Hemisferën Perëndimore gjerësisht kanë qenë sa për sy e faqe dhe kanë shërbyer si një kujtesë për Perëndimin se forcat e Moskës janë në gjendje të veprojë më larg se sa mundnin kur shteti kishte burime të kufizuara pas kolapsimit të Bashkimit Sovjetik më 1991.

Në vitin 2018, dy bombardues bërthamorë strategjikë rusë ateruan në një aeroport ushtarak në periferi të Karakasit. Në korrik të vitit 2024, dy anije të marinës ruse u ankoruan në Venezuelë para zgjedhjeve që zgjatën sundimin e Maduros dhe që u cilësuan si farsë nga SHBA-ja.

Gjatë përpjekjes për ta rrëzuar Maduron nga pushteti më 2019, Moska e pranoi se kishte personel ushtarak në terren, pasi disa fotografi treguan afër 100 ushtarë rusë duke dalë nga dy aeroplanë ushtarakë.

Kufizimet

Në një raport të publikuar nga Instituti Kennan i Qendrës Wilson më 2020, me seli në SHBA, analisti Vladimir Rouvinski shkroi se “prania e parë e vazhdueshme e personelit ushtarak rus në Hemisferën Perëndimore” që nga tërheqja nga Kuba në fillim të viteve ’90 ishte “një shfaqje e qartë e vendosmërisë së Kremlinit për ta mbajtur Venezuelën brenda orbitës së Rusisë”.

“Shumë veprime të tjera të sponsorizuara ose të lehtësuara nga Rusia ndihmuan që Maduro të mbante pushtetin”, përfshirë bllokimin që Moska i bëri një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbështetur nga SHBA-ja, shkroi Rouvinski. Por, në të njëjtën kohë, “kriza në Venezuelë vuri në pah shumë kufizime të politikës ruse”, siç është “mungesa e … burimeve financiare për të mbështetur politikën e saj në Amerikën Latine”.

Në vitin 2019, tha Sitenko, “faktori vendimtar për mbijetesën e Maduros nuk ishte ndihma ushtarake relativisht e kufizuar e Moskës, por refuzimi i forcave të armatosura venezuelase për të dalë në krahun e opozitës”.

Sot, burimet financiare dhe ushtarake të Moskës janë më të tkurrura sesa më 2019: Atëherë ishte tre vjet para se Putini të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, duke angazhuar shumicën e personelit dhe burimeve ushtarake për një luftë të kushtueshme, që fundi s’po i duket, dhe duke nxitur një valë sanksionesh ekonomike nga Perëndimi.

Edhe sikur Rusia të mos ishte e përfshirë në luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945, distanca e saj me Venezuelën do të përbënte kufizime të rëndësishme për një mbështetje të madhe, nëse do të ishte e nevojshme.

“Mendoj se nëse SHBA-ja është serioze lidhur me ndryshimin e regjimit në Venezuelë përmes forcës, Rusia ka pak gjasa që të mund ta ndihmojë në ndonjë mënyrë”, tha për Radion Evropa e Lirë Oleg Ignatov, analist i lartë për Rusinë në Grupin e Krizave. “Kjo ka qenë e pamundur si para ashtu edhe pas fillimit të luftës në Ukrainë. Gjeografia dhe logjistika janë faktorë kyç në këtë situatë”.

Trump ka dërguar mesazhe të përziera lidhur me atë nëse SHBA-ja po shqyrton sulme ndaj caqeve të lidhura me drogën brenda Venezuelës. “Toka do të jetë hapi i radhës”, tha ai më 23 tetor, duke komentuar sulmet ndaj anijeve. Por, më 31 tetor, kur u pyet nëse ishin të vërteta raportet mediatike se ai po shqyrtonte sulmet brenda Venezuelës, presidenti amerikan u përgjigj: “Jo”.

Rrëzimi i Maduros do të ishte një goditje e rëndë për Moskën, duke e privuar atë nga një prani kyç në Amerikën Latine dhe do të ishte e ngjashme me rrëzimin e Bashar al-Assadit në Siri në dhjetor të vitit 2024, gjë që e dobësoi ndikimin e Kremlinit në Lindjen e Mesme.

Përveç statusit të Maduros si aleat në konfrontimin gjeopolitik të Moskës me Uashingtonin dhe Perëndimin, Rusia ka investuar shumë në prodhimin e naftës në Venezuelë, e cila i ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, megjithëse sanksionet amerikane bëjnë që të dyja shtetet të synojnë të shesin naftën te disa nga blerësit e njëjtë, sikurse është Kina.

Llogaritjet gjeopolitike

Me luftën kundër Ukrainës që ka bërë që Moska të përqendrohet të blejë armë për vete, Karakasi në të kaluarën ka qenë një blerës i madh i armëve ruse. Në mes të rritjes së pranisë amerikane në rajon, Maduro tha më 22 tetor se Venezuela ka 5.000 raketa Igla-S, të prodhimit rus, “në pozita kyç të mbrojtjes ajrore”.

Pavarësisht lidhjeve të ngushta mes dy shteteve, Moska mund ta shohë rritjen e presionit amerikan ndaj Venezuelës si një zhvillim që e largon vëmendjen e Uashingtonit nga Ukraina, duke e ulur mundësinë për rritje të presionit ndaj Moskës për t’i dhënë fund pushtimit.

Kremlini i Putinit mund të shohë një anë pozitive në largimin e Maduros, nëse SHBA-ja do ta detyronte atë që të largohej nga pushteti.

“Në një mënyrë perverse.. Moska do të përfitonte nga një operacion i tillë, pasi do të forconte pretendimin e saj se është Perëndimi, dhe jo Rusia, armiku i Jugut Global: arrogant, i dhunshëm dhe imperialist”, tha Galeotti në përgjigjet me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.

“Tek e fundit, Rusia është ende në gjendje të gjejë aleatë dhe klientë në Jugun Global, qoftë për arsye të bindjeve të tyre, por më shpesh për arsye pragmatike, dhe gjithmonë e shfrytëzon aventurizmin perëndimor për të përforcuar pretendimin e saj se rendi liberal global është thjesht një mashtrim për ta nënshtruar botën në shërbim të interesave perëndimore”, tha ai.

albnews

albnews

Live ALBUK TV

Recent News

Gjendet e pajetë një studente nga Kosova në Tetovë, reagon ambasada 

Gjendet e pajetë një studente nga Kosova në Tetovë, reagon ambasada 

6 November, 2025
A mundet Moska që ta ndihmojë Maduron e Venezuelës?

A mundet Moska që ta ndihmojë Maduron e Venezuelës?

6 November, 2025
Zjarr në shtëpinë e të moshuarve në Bosnje, 11 të vdekur dhe mbi 30 të lënduar 

Zjarr në shtëpinë e të moshuarve në Bosnje, 11 të vdekur dhe mbi 30 të lënduar 

6 November, 2025
Përplasi trumën e njerëzve me makinë në Francë, mes të plagosurve zyrtare e partisë së Le Pen, autori dyshohet se ishte…

Përplasi trumën e njerëzve me makinë në Francë, mes të plagosurve zyrtare e partisë së Le Pen, autori dyshohet se ishte…

6 November, 2025
Copyright © 2025 ALB UK News | Powered by ALB UK News
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT
No Result
View All Result