Edi Rama në konferencën e jashtëzakonshme për mediat ku njoftoi anulimin e mbledhjes së përbashkët me qeverinë e Kosovës iu desh t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në lidhje me sanksionet e ndërkombëtarëve që ai paralajmëroi.
I pyetur nëse Shqipëria dhe ai po i paraprijnë sanksioneve të bashkisë EuroAtlantike, për të cilat paralajmëron Prishtinën zyrtare, Rama refuzoi ta pranonte këtë, por theksoi se si kryeministër i vendit nuk mund të mos reagojë kur Kosova digjet.
“Jo, fare sepse thashë se kam disa ditë që kërkoj ta takoj. Ka qenë I zënë e mirëkuptoj. Por nuk jemi në kushtet kur mund të bëjmë një mbledhje si UFO. Shqipëria nuk është UFO të paktën, është pjesë e pandashme e njësisë Euroatlantike. Ndaj s’mund të bëjmë teatër ,me marrëveshje për bujqësinë dhe blegtorinë, ndërkohë që Kosova po digjet ngadalë por po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar me ata që e krijuan si shtet”, tha kreu i qeverisë.
Rama gjithashtu nënvizoi se “asgjë nuk ndodh” nëse Albin Kurti nuk pranon të zhvillojë takimin e formatit më të ngushtë që ai i ka kërkuar me ngulm, vetëm se duhe thënë sipas tij se “jeta vazhdon keq për Kosovën fatkeqësisht”.
“Aspak mirë edhe për kryeministrin e Kosovës”, u shpreh Rama.
“Unë i marr me mend të gjitha nënqeshjet me bashkësinë Euroatlantike sot me ata që krijuan Kosovën, të atyre që se deshën kurrë krijimin e Kosovës. Këtë gjë s’duhet ta lejojmë. Të bëjmë çmos që të mos ndodhë. Për ça bëhet njëherë se nuk e kuptoj. Për një të ngujuar atje që nuk ushtron dot jo detyrën, por as funksionet bazike të një njeriu atje që nuk del dot të marri as ajër jashtë godinës. Ajo që u bë me zgjedhjet ishte gjëja e duhur, por nuk besoj se i shkon mendja as Albinit vet, që ajo u bë që edhe komunat me shumicë dërrmuese serbe t’i qeverisin shqiptarët. Nuk u bë për këtë. U bë për t’i thënë serbëve se nuk i lëmë njësitë e qeverisjes vendore në vakum. Por në momentin kur krijohen kushtet që ata të futen në zgjedhje, gjëja e parë që bën është se çliron të vetëburgosurin e vetëvendosur nga godina e rrethuar me policë, ku ai rri si simboli i një absurdi. Unë nuk jam ariu, unë jam kryeministri i Shqipërisë. Kam bërë një propozim, ka dhe propozime të tjera. Nuk pretendoj t’i imponohem kujt. Unë nuk pres që Presidenti i Serbisë të thotë bravo, as që ta pranoj. Po minimalisht qeveria, kryeministri i Kosovës thotë OK ta shohim, merre shihe njëherë se s’dihet. Mund të jetë komplet kot, por ju siguroj se është top. Se e kanë bërë ekspertët botërorë”, shtoi Kryeministri.