Kombëtarja shqiptare e ka nisur me humbje aventurën e eliminatoreve të Euro 2024.
Kuqezinjtë e Sylvinhos u mposhtën minimalisht 1-0 në transfertën e vështirë të Polonisë, e cila është një ndër ekipet kryesore së bashku me Çekinë që synojnë Europianin e vitit të ardhshëm.
Shqipëria zhvilloi një ndeshje të vakët me pak raste e shumë gabime në mesfushë, ndikuar kjo dhe nga mungesat e shumta në formacionin kryesor.
Polakët vinin më të angazhuar në këtë takim dhe për shkak të humbjes në ndeshjen e parë kundër Çekisë dhe fitorja për ta ishte një detyrim.
Vendasit e gjetën golin e fitores me anë të Swiderski, i cili përfitoi nga një top i kthyer nga shtylla, për të mposhtur Strakoshën dhe mbrojtjen kuqezi.
Ndonëse në ndeshjen e tij të parë, Sylvinho tentoi të ndryshonte formacionin në pjesën e dytë, por përpjekjet ishin të pakta. Rasti më i mirë ishte ai i Uzunit në minutën e 87, i cili nuk e gjeti dot portën brenda zonës së vogël.
Ndeshja e radhës e Kombëtares do të jetë përballë Moldavisë, takim ky që do të luhet në muajin qershor.