Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë se Mali i Zi është i gatshëm të kontribuojë dhe të mbështesë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë drejtim, ai ka shtuar se nëse do të ketë raunde të reja negociatash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të dëshironte që Mali i Zi të jetë nikoqir i tyre, përcjell Telegrafi.
Siç ka theksuar ai, Mali i Zi luan një rol të pajtimit në rajon dhe se ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje dhe është i gatshëm të ndihmojë në çdo mënyrë.
“Personalisht do të doja të zgjeroja ofertën time – nëse ka raunde të reja negociatash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, t’i pres në Mal të Zi”, ka thënë Abazoviq për Pavlovic Today, përcjell Telegrafi.
Ai tha se Mali i Zi nuk është pjesë e dialogut, por se personalisht beson se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë që do t’i sjellë diçka edhe Serbisë edhe Kosovës.
“Kjo është rruga që duhet të shkojë rajoni. Rruga e normalizimit është ajo e duhura për rajonin si hap i parë dhe në fund, kur të plotësohen të gjitha kriteret, hyrja në Bashkimin Evropian si synim final për të gjithë rajonin”.
Ai beson se gjëja më e rëndësishme është zbatimi i marrëveshjes dhe shton se që të ndodhë kjo, të dyja palët duhet t’i përmbahen asaj që kanë rënë dakord.
“Unë nuk jam përkrahës i idesë që palët të nënshkruajnë diçka pa monitoruar zbatimin. Kjo nuk ka funksionuar mirë në të kaluarën. Gjëja më e rëndësishme është që ajo për të cilën janë dakord të zbatohet në praktikë”, citohet të ketë thënë më tej Abazoviq.
Duke qenë se së fundmi është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Abazoviq thotë se kryeministri shqiptar e mbështet marrëveshjen, por thekson se as Rama dhe as ai nuk janë palë në dialog.